Rama dhe Abazoviç në Kiev, premtojnë mbështetje për integrimin në BE dhe rindërtim në Irpin

Nga A2 CNN
15 Qershor 2022, 20:01 | Politikë
Rama dhe Abazoviç në Kiev, premtojnë mbështetje për

Kryeministri Rama me homologun e tij të Malit të Zi, Dritan Abazoviç i dhanë personalisht presidentit të Ukrainës, Zelenski mbështetjen për marrjen e statusit kandidat të Ukrainës në BE, me kreun e qeverisë shqiptare që nuk e kurseu skepticizmin ndaj unionit.

“Dua të them qartë se jemi më shumë se të lumtur që Ukraina të marrë statusin e kandidatit për në Bashkimin Evropian. Nuk duam të spekulojmë që meqë BE-ja nuk e ka mbajtur fjalën me ne dhe ndoshta njerëzit mendojnë se ne nuk ndihemi mirë nga kjo, por nuk është e vërtetë. Jemi të angazhuar ndaj rrugëtimin tonë evropian, jo për Parisin e Brukselin, por për të ardhmen e brezave tonë të ardhshëm. Nga ana tjetër, e kuptojmë plotësisht këtë dëshirë të zjarrtë qëUkraina kërkon menjëherë statusin e vendit kandidat, pasi të merrni statusin kandidat do të duhet të përballeni me realitetin që statusi kandidat nuk është aq shumë sa mendonit se ishte”, u shpreh Rama.

Kryeministri Rama shkoi përtej mbështetjes, teksa premtoi ndërtimin e një blloku banesash në Irpin.

“Sot patëm mundësinë të shohim nga shumë pranë Irpinin. Jam i lumtur që ratë dakord me propozimin tonë për të bashkuar përpjekjet dhe për të ndërtuar një bllok secili prej vendeve, për familjet dhe fëmijët e Irpin. BE dhe shumë të tjerë janë pjesë e kësaj përpjekje, por le ta bëjmë në mënyrën ballkanike pa shumë burokraci dhe të jemi të parët që e bëjmë këtë gjë e kjo ndoshta do të përshpejtojë përpjekjet e të tjerave”, shtoi kryeministri.

Edhe Abazoviç dha mbështetjen për integrimin e Ukrainës në BE, ndërsa vuri theksin te ndalimi i luftimeve sa më parë.

“Ju keni miq. Na besoni, ne kemi pasur përvojë të ngjashme 30 vjet më parë. Ne e dimë se çfarë është lufta, agresioni dhe krimet e luftës. Keni mbështetjen e Malit të Zi për integrimin në BE. Është kohë e vështirë për Evropën dhe botën. Ajo që është e rëndësishme është që lufta të ndalet. Do keni mbështetje për rindërtimin e vendit. Do japim kontributin tone, por e rëndësishme është që të gjendet mënyra për të ndalur luftën”, tha Abazoviç.

Presidenti Zelenski i falenderoi kryeministrat për mbështetjen për Ukrainën në rrugën e integrimit, si dhe për ndihmën që vendet e tyre kanë dhënë për refugjatët e luftës. 

“Shqipëria, Ukraina, Mali i Zi dhe Maqedonia, duhet të integrohen në BE, nuk jemi rivalë, por plotësojmë njëra-tjetrën, ju falënderoj për mbështetjen. Dua të falenderoj kryeministrat për deklaratën e përbashkët që firmosën sot për mbështetjen për dhënien e statusit kandidat për Ukrainën. Faleminderit shumë që mbështesni njerëzit tanë që kanë gjetur strehë në vendet tuaja”, deklaroi Zelensky.

Në takimin në Presidencë, mori pjesë online dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i cili nuk mundi të udhëtonte drejt Kievit për shkak të agjendës.

Gjatë vizitës së tyre në Ukrainë, Rama dhe Abazoviç panë nga afër pasojat e luftës në Borodyanka dhe Irpin, lanë mesazhet e tyre në ekspozitën e luftës, ndërsa takuan dhe kryeministrin Denys Shmyhal  dhe kryebashkiakun e Kievit, Vitaly Klitchko. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos