
Përfitimet nga taksa e jashtëzakonshme që do t’i vendoset eksportuesve më të mëdhenj të energjisë tashmë zyrtarisht do të shkojnë për pensionistët. Kryeministri Edi Rama ka publikuar vendimin e firmosur të qeverisë, ndërsa thekson se ato do të përfitojnë 5000 lekë si një masë lehtësuese, pasi janë pjesa më e prekur nga pesha e luftës në Ukrainë.
'Lajm i mirë! Kur thosha do të vendosim taksë të jashtëzakonshme për eksportuesit e mëdhenj të energjisë dhe do t’ua shpërndajmë pensionistëve në prill, ata që ju e dini kush janë, bërtisnin ky është tatimi i jashtëzakonshëm komunist!
E bëri BE-ja, e tha edhe këtu Ursula Von Der Leyen që po, kjo është diçka krejt e drejtë në këtë kohë krize dhe e mbyllën përkohësisht gojën!
Pastaj e hapën prapë gojën, duke u qarë hallin pensionistëve se i mashtroi Edi Rama dhe se s’do merrnin asgjë, po kur e dëgjuan që kjo do të ndodhte siç ishte premtuar, u hodhën përpjetë se po shkelej Kodi Zgjedhor! Krejt e pavërtetë, si zakonisht kur ata hapin gojën!
Por ja ku prilli erdhi dhe taksa e jashtëzakonshme mbi fitimet e rëna nga qielli i luftës në arkën e eksportuesve të mëdhenj të energjisë, do të fillojë t‘u shpërndahet pensionistëve, si pjesa më e prekur nga pesha e luftës, po edhe më dinjitozja në qëndresën e saj përballë vështirësive të kohrave!
Kjo është një tjetër masë lehtësuese për ta pas Pakos së Madhe, po nuk është e fundit, sepse ne nuk bëjmë dot sa duam për më të moshuarit, por nuk do të lemë kurrë pa bërë gjithçka mundemi! *më poshtë vendimi i sapofirmosur i qeverisë!’- shkruan Rama. (A2 Televizion)