“S’ka rritje pensionesh në prill”, Ibrahimaj: Indeksimi në tetor. Bastet sportive “online” hapen së shpejti

Nga A2 CNN
31 Mars 2023, 15:15 | Ekonomi
“S’ka rritje pensionesh në prill”, Ibrahimaj: Indeksimi

Pensionet nuk do të rriten në prill, ndryshe nga sa ka ndodhur vitet e mëhershme. Ministrja për Ekonominë dhe Financat, Delina Ibrahimaj njoftoi se rreth 700 mijë të moshuar do të marrim vetëm 50 mijë lekë shpërblim, ndërsa rritja në nivelin e indeksimit të inflacionit do të bëhet në tetor.

“Kjo pasi na duhet të kemi një ecuri më të plotë të inflacionit, për të bërë një indeksim sa më të drejtë”, tha Delina Ibrahimaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë.

Ndërkohë të apasionuarit pas basteve duket se do t’u rikthehen ligjërisht atyre në pak javë, por ata do të taksohen për çdo qindarkë të fituar sipas ministres Ibrahimaj.

“Ligji do hidhet për konsultim publik në fillim të javës së ardhshme e më pas do shkojë në qeveri me fazat e miratimit në Parlament, do ketë tryeza konsultimi me të gjithë grupet e interesit”, tha ministrja.

Rritja e normave të interesit dhe kriza e bankave që po përhapet edhe në Eruopë duket se ka shtyrë planet e qeverisë për të marrë Eurobondin në vlerë 500 milionë euro.

“Jemi në kushtet që mund të presim stabilizimin  normave të interesit dhe kushteve të tjera të sistemit bankar. Nuk do të dalim për momentin”.

Ndërkohë pagesat për inceneratorët do të vijojnë. Ibrahimaj tha se qeveria është e detyruar të paguajë për Fieri dhe Elbasanit, megjithëse administratorët e tyre janë shpallur në kërkim. Ndërkohë mbi paralajmërimin e kryeministrit për rritjen e pagës mesatare në 900 euro nuk ka ende detaje.

“Ne kemi bërë të ditur që po ndërmarrim një reformë madhore për rritje pagash në sektor publik. Do jetë një reformë e shpërndarë në dy vite, jo rritje në një vit”. (A2 Televizion)

https://a2news.com/video/ministrja-ibrahimaj-optimiste-per-rritjen-e-pagave-dhe-pensioneve/

A2 CNN Livestream

Latest Videos