Rritja e pagës mesatare, Spahiu: Nuk është momenti i duhur, lidhet drejtpërdrejt me fushatën elektorale

Nga A2 CNN
31 Mars 2023, 20:30 | Ekonomi
Rritja e pagës mesatare, Spahiu: Nuk është momenti i duhur,

Herjola Spahiu eksperte për ekonominë, e ftuar në “A2BUSINESS” nga Aurora Sulçe u shpreh se ritmi i rritjes së këtij viti është tejet shqetësues për momentin në të cilin jemi, pasi është shumë herë më i lartë se vitet e mëparshme.

Sipas Spahiut, ky nuk është momenti i duhur për ta bërë një premtim të tillë, ndërsa tha se nuk mund të mohonte, për nga mënyra se si u promovua, se nuk ka lidhje me fushatën zgjedhore.

Znj. Spahiu, a duhet bërë rritja e pagave në shtet dhe a duhet të jetë deri në 900 euro sikurse ja deklaruar kryeministri?

Mendoj që të gjithë janë shumë pozitivë për tendencën për rritjen e pagave, por ajo që është shqetësuese është ritmi i rritjes së këtij viti, që është shumë herë më i lartë se ajo që ne kemi realizuar në dy vitet e mëparshme. Dhe duke ditur në paralel se sa i ngushtë është buxheti shtetëror për të lejuar këtë rritje.

Mendoj që nuk është momenti i duhur ky për të bërë këtë premtim. Do të ishte më shumë pozitiv nëse njoftimi i rritjes së pagës do të kishte ndodhur në një moment tjetër, dhe jo kaq afër datës së zgjedhjeve lokale.

A lidhet kjo me fushatën elektorale?

Mënyra se si është promovuar është shumë e drejtpërdrejtë, nuk mund të them që nuk lidhet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos