“Rama gërshetoi narkoshtetin me stilin e Putinit”, Berisha: 200 mijë shqiptarë u transferuan në zona të tjera

Nga A2 CNN
18 Maj 2023, 13:16 | Politikë
“Rama gërshetoi narkoshtetin me stilin e Putinit”, Berisha: 200

Në një konferencë për mediat, këtë të enjte, Sali Berisha foli edhe njëherë tjetër për zgjedhjet lokale të 14 majit. Ai ngriti akuza ndaj Edi Ramës për manipulime. Berisha u shpreh se Rama gërshetoi stilin e narkoshtetit me atë të Vladimir Putinit.

“Farsa elektorale maj 2023 dallon nga të gjitha farsat e zhvilluara nga Edi Rama, si në proporcione, ashtu dhe në cilësi. Dallon në proporcione sepse blerja e votave nuk u shfaq për herë të parë në vitin 2023, ajo është denoncuar edhe më herët, por në këtë farsë, si kurrë më parë, ndërhyrja ishte e atyre përmasave të tmerrshme saqë rrëzoi euron, monedhën më të fuqishme të Europës, në nivele që ajo nuk i kishte përjetuar kurrë më parë.

U gërshetuan dy stile, stili i narkoshtetit me stilin Putin, i cili parakupton përdorimin e të gjitha mjeteve të tjera të shtetit për kontrollin e votës së lirë të qytetarëve dhe ndryshimin e rezultateve”, tha Berisha. Më tej, ai akuzoi se janë ndryshuar qendrat e votimit për 1,3 milionë shqiptarë. “Në dallim nga zgjedhjet e mëparshme, në këto zgjedhje u rikthye me të gjitha pasojat dhe shëmtinë e tij loja me listat e votimit, përjashtimi i zgjedhësve nga qendrat e votimit. PD-ja e denoncoi publikisht aktin kriminal elektoral dhe ministrit të familjes së tij, Çuçi, të cilët ndryshuan qendrat e votimit të 1 milion e 300 mijë zgjedhësve. E denoncoi këtë akt si një përpjekje brutale për t’iu mohuar të drejtën e votës sipas bindjeve politike qytetarëve shqiptarë. Dita e votimit ishte ditë e përjashtimit, më së paku, të mbi 200 mijë zgjedhësve shqiptarë. Emrat e tyre ishin transferuar në qytete të tjera, në zona të tjera”, tha Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos