Rama: I gatshëm të bashkëpunoj me Bashën pas zgjedhjeve. Kreu i demokratëve: Koha e tij ka mbaruar

Nga A2 CNN
14 Prill 2021, 23:00 | Politikë
Rama: I gatshëm të bashkëpunoj me Bashën pas zgjedhjeve.

Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë një interviste në Report Tv se është i gatshëm të bashkëpunojë me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha pas zgjedhjeve të 25 prillit, me kushtin e vetëm që të ndahet nga Ilir Meta dhe Sali Berisha.

Sipas kreut të qeverisë e gjitha kjo ftesë për bashkëpunim ndaj Bashës bëhet për të transformuar jetën politike dhe për të ecur në drejtim të vendeve që duam t’iu ngjajmë.

“Pas 25 prillit jam i gatshëm të bashkëpunoj me opozitën, dhe me Bashën, por me një kusht të thjesht që të ndahet nga Meta dhe Berisha. Për të transformuar një jetë politike që është realisht që është kthyer në stres për shqiptarët. Bashkëpunim ngushtësisht si në vendet që ne duam të arrijmë dhe atyre që ne duam t’i ngjajmë, nuk flas për gjëra konkrete, se ne do kemi shumicën, pra nuk do të kemi probleme të kësaj natyre, por sidoqoftë në emër të shumicës unë jam shumë i gatshëm të shkoj përtej politikës së këtyre viteve dhe të angazhohem që politika e ardhshme të jetë 100% në dispozicion të projektit ekonomik,  të mirëqenies shqiptare, dhe asnjë për qind e fokusuar te vetëvetja, te politikanët, jo te konfliktet dhe idiotësisë. A do e pengojë këtë bashkëpunim Meta dhe Berisha? Duhet që Lulzim Basha ta thotë që do të ndahet plotësisht prej tyre”, mësohet të ketë thënë kryeministri Rama.

I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i kreut të demokratëve për këtë ftesë, i cili përmes një postimi në Tëitter rrëzon të gjitha mundësitë që kjo gjë të ndodhë, duke thënë se koha e Ramës ka marrë fund.

“Në 25 prill shqiptarët do votojnë numrin 9 për ta larguar Ramën dhe ai nuk do jetë kurrë pjesë e qeverisjes sonë. Koha e tij ka mbaruar. Ne do të sjellim ndryshimin dhe Shqipëria do fitojë”, shkruan Basha.

Replikat në distancë kanë vijuar dhe më tej dhe kryeministri ka postuar dhe një tjetër mesazh në Twitter, ku i shprehet Bashës se Berisha dhe Meta nuk mund të jenë më të rëndësishëm se Shqipëria.

“Shqiptarët duan bashkim, duan që ne të gjithë të punojmë për ta dhe ekonominë e tyre përtej pandemisë, duke e lënë pas politikën e vjetër të sherrit, dasisë, konfliktit deri në absurd! Pse ti jo”, shkruan Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos