
Ashtu si presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe për kryeministrin Edi Rama pandemia e koronavirusit, tashmë ka mbaruar. Atë që mjekët ngurojnë ta thonë para Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e ka deklaruar kreu i qeverisë nga ish-spitali Covid, sot godina e modernizuar e Shërbimit Infektiv.
"Pavarësisht se jemi tanimë përtej pandemisë, ajo çka kjo trupë bëri gjatë pandemisë, nuk duhet harruar kurrë”.
Godina 52-vjeçare e Infektivit, ndër më të vjetrat në QSUT, përballoi ngarkesën më të madhe shëndetësore gjatë pandemisë së koronavirusit. Rikonstruksioni i spitalit filloi këtë verë, pas qetësimit të situatës nga pandemia dhe uljes së shtrimeve në pavijone.
Pas 5 muajsh punime, Shërbimi Infektiv rihapet me ambiente të reja sipas sëmundjeve, aparatura moderne dhe auditorë për studentët. Ministrja e Shëndetësisë e ka cilësuar premtim të mbajtur ndërtimin e spitalit, ndërsa kundërshtarëve politikë, veçanërisht gjatë pandemisë, iu kujtoi planin e mbylljes së Infektivit në kohën kur vendi qeverisej nga demokratët.
“Ky shërbim mund të kishte një fund të trishtë nëse do t’i shkohej deri në fund planeve për mbylljen e tij. Ato plane hartoheshin nga ata që bërtisnin më fort gjatë pandemisë. Ishin ata që bërtisnin më shumë gjatë pandemisë.”
Pas emergjencës shëndetësore nga koronavirusi dhe përballjes me largimet e vazhdueshme të mjekëve jashtë vendit, kryeministri Rama shprehu ambicien për dyfishimin e pagave të tyre brenda këtij mandati.
"Ambicia jonë është që brenda këtij mandati ta çojmë në 100% rritjen e pagës në raport me pikënisjen. Me buxhetin e ri shkojmë në 70%".
Por pas këtij premtimi dhe investimi në QSUT, mjekët e ardhshëm nuk i kanë thënë “JO” largimit drejt Gjermanisë, edhe pasi janë pyetur nga kryeminstri Rama. (A2 Televizion)