Rama: I rastësishëm apo i qëllimshëm, publikimi i akuzave abortoi një proces paqeje

Nga A2 CNN
30 Qershor 2020, 14:39 | Kosova
Rama: I rastësishëm apo i qëllimshëm, publikimi i akuzave

Kryeministri Edi Rama e quajti përsëri “fletërrufe të revolucionit kulturor kinez” aktakuzën e ngritur kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kreut të PDK, Kadri Veseli dhe shtoi se ajo ndërpreu një proces vendimtar, si ai i bisedimeve me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë.

“Procesi i vështirë i pajtimit nuk është vetëm çështje e ballafaqimit të së kaluarës përmes drejtësisë, por edhe e ndërtimit të së ardhmes përmes politikës. Komunikata, e ashtuquajtur për mua një fletërrufe e ngjashme si dy pika uji me komunikatat përgjatë revolucionit kulturor kinez është e pashembullt dhe e kombinuar me momentin e publikimit të saj përbën një arsye, pavarësisht nëse publikimi i saj është i rastësishëm apo i qëllimshëm, në prag të një takimi me rëndësi në Shtëpinë e Bardhë, për të thënë se historia e kësaj gjykate speciale të radhës nisi të shkruhet me një akt që abortoi një proces që lidhet me paqen”, tha Rama në një konferencë për mediat në Prishtinë.

“Sigurisht që takimi në Shtëpinë e Bardhë përbën një moment të rëndësishëm të një përpjekjeje me shumë stacione, por edhe mundësi për ta çuar procesin në një nivel të ri, me mbështetjen e drejtpërdrejtë të SHBA. Dhe në këtë aspekt, më vjen mirë të them që është privilegj të jesh në pozicionin  që jam unë dhe të të jepet mundësia të kontribuosh për at çka ishte dhe është vlera historike e luftës çlirimtare të Kosovës”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos