
“Qëllimi i opozitës në këto zgjedhje është të marrë pushtetin dhe të rimodelojë qeverisjen vendore.” Kështu u shpreh Oerd Bylykbashi, i pyetur në “Intervistë” me Merita Haklajn, pasi u pyet sesi do ta sfidojë qeverinë një opozitë që aktualisht është e përçarë.
“Qëndresa jonë tregon se ne nuk do të tërhiqemi. Ne do të hyjmë në zgjedhje. Koaliconi ‘ Bashkë Fitojmë’ ka dy krahë, fitojmë me partitë opozitare, fitojmë edhe me zgjedhësit.”
I pyetur rreth kandidatëve të grupimit tjetër të PD-së, Bylykbashi tha se gjasat janë që të dalin me kandidatë pasi, siç u shpreh ai, “Rama u tha do të hyni në zgjedhje si Çeço.
Megjithatë, sipas deputetit demokrat, është në nderin e kujtdo që të luftojë për opozitën dhe të mbështesë kandidatët e tyre.
Sa i përket “dorës së shtrirë” të grupimit tjetër, Bylykbashi u shpreh: “Ky është kusht shumë i madh që u vihet demokratëve, që të rrëzojnë cdo gjë që kanë besuar në mbi 1 vit. Të lënë mënjanë shpresën që prodhoi Foltorja dhe 11 Dhjetori. Dhe këta të thonë do t’ju japim një xhiro biçikletën ta provoni.”
Kurse, për koalicionin, Bylykbashi shpjegoi se është zgjedhur e njejta formulë si më 6 mars, me ndryshime të vogla ndërsa theksoi se KQZ do duhet ta regjistrojë si koalicion zgjedhor pasi precedent ka.
Por si do t’i sigurojë paratë grupimi i Berishës për të bërë fushatë duke qenë se KQZ njeh grupin tjetër? Bylykbashi thotë se do të mblidhen para në mënyrë të ligjshme.
“Ne do mbledhim para në mënyrë të ligjshme. Ka vështirësi që prodhon Rama, njerëzit mund ta kenë të vështirë të kontribuojnë për PD-në. Sepse po u mor vesh mund t’u çoje inspektoriatin bizneseve.” (A2 Televizion)