
Kthim të opozitës së emëruar e ka cilësuar Sali Berisha vendimin e KAS për të regjistruar PD në zgjedhje me kryetar të komanduar Enkelejd Alibeajn. Në konferencën e përjavshme për mediat, Berisha i mbylli të gjitha dyert e bashkëpunimit me grupimin tjetër për të dalë më një kandidat unik në zgjedhje nën siglën e PD.
“Të shpallësh kryetar atë që nuk është do të thotë të pranosh të emëruarin e Edi Ramës, është shkelur çdo normë e këtij vendi, i këtij shteti apo narkoshteti. Ky është tmerri që ka Rama dhe që mendon se nëpërmjet Alibashës dhe Bravës do të mund të shpëtojë në 14 maj. Basha-Alibrava nuk kanë lidhje me PD, janë të dy pengje të Ramës dhe Rama i përdor”, tha Berisha.
I pyetur nëse ndonjë prej kandidatëve për kryetar bashkie i ka kërkuar t’i qëndrojë larg gjatë fushatës së 14 majit, Berisha u shpreh se këto zgjedhje janë të një rëndësie të lartë politike dhe se angazhimi i tij nuk do të mungojë.
“Kandidatët presin me padurim mbështetjen e fuqishme të Berishës dhe PD. Sali Berisha nuk udhëheq asnjë fushatë lokale. Gjithnjë fushatën lokale që e bëjnë kandidatët ka edhe një fushatë që e bëjnë drejtuesit e partive dhe këtë herë fushata është jetike sepse kemi të bëjmë me një betejë historike në përmbysjen e monizmit”, shtoi ish-kryeministri.
Berisha u ndal edhe tek raporti që kishte premtuar se do të bëntë transparente në lidhje me të ashtuquajturën çështje e financimeve ruse në PD. Ai hoqi çdo përgjegjësi nga partia duke e kaluar në kurriz të atëherë-kryetarit Lulzim Basha.
“Raporti qartëson se 700 mijë euro, asnjë qindarkë nuk ka hyrë në arkën e PD-së dhe nuk ka dalë nga arka e PD-së. Është një aktivitet i paligjshëm, financim rus apo tjetër, nuk mund të them, por nëse e thotë raporti i CIA-s, nuk mund të vihet në diskutim. Basha është peng në krim”, shtoi ai.
Berisha pohoi se javën e ardhshme do të prezantohet nga grupi i auditimit raporti i plotë. (A2 Televizion)