
Aksioni ndaj pallateve që kanë ndërtuar kate pa leje duket se është një çështje tashmë e drejtuar nga Gjykata Kushtetuese. Tre muaj pasi firmosi VKM-në që lejon konfiskimin për interes publik, kryeministri Rama ka reaguar ndaj regjistrimit të një kërkese pranë shkallës më të lartë të drejtësisë në vend.
“Shoqata e Ndërtuesve qenka ankuar në Gjykatën Kushtetuese pse po goditen rëndë pallatet me shkelje të lejeve të ndërtimit! Le të shkojnë edhe në Hagë ose në hënë po të duan, po pallatet me shkelje do prishen ose do konfiskohen për interes publik prandaj uroj që GJK të mos lajthisë!”
Thirrja e kryeministrit ndaj trupës gjykuese vjen disa javë pas akuzave ndaj prokurorive të rretheve për lënien e dosjeve të shkeljeve në ndërtime të harruara në sirtarë. Ndërsa po atë ditë, firmosi 15 procedura për konfiskim të objekteve.
Pas postimit, A2 CNN pyeti pranë kësaj Gjykate për të konfirmuar regjistrimin e çështjes.
A2 CNN i drejtoi gjithashtu një kërkesë për koment Shoqatës së Ndërtuesve. Kryetari i shoqatës, Artan Dulaku deklaroi se kërkesa është regjistruar në mënyrë të paligjshme individualisht nga disa ndërtues, që nuk kanë marrë më parë miratimin e Bordit Drejtues. Qëndrimi zyrtar i Shoqatës së Ndërtuesve është se janë pro vendosjes së rregullit, kundër ndërtimeve pa leje dhe se kush i ka bërë këto shkelje duhet të mbajë përgjegjësi.
Ndërkohë në një reagim për mediat, anëtari i Shoqatës së Ndërtuesve, Ilir Hebovija, nuk mohon se në Kushtetuese është dërguar një ankesë ndaj Vendimit të Qeverisë, por deklaron se është kërkuar vazhdimisht nga institucionet që të respektojnë të drejtat dhe liritë e biznesit.
‘’Gjithashtu kemi kërkuara kushtetutshmërinë e akteve ligjore që dalin, që duan të cenojnë veprimtarinë e biznesit që punon në zbatim të plotë të ligjeve’’, thuhet në këtë reagim të Hebovisë.
Në të shkuarën, ndërtuesit i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar vendimin e Bashkisë Tiranë për 3%-shin e strehimit social. Kërkesë e cila u rrëzua më 30 Prill 2021.
VKM e datës 7 Shtator përcakton se objektet e ndërtuara pa leje për qëllim fitimi konfiskohen nga autoritetet dhe se subjektet zhvilluese mund t’i blejnë ato me vlerën e tregut, pagesë që nuk e çliron ndërtuesin nga gjoba dhe pasojat penale. (A2 Televizion)