“Rama ik” në Tropojë, garda largon demokratin, kryeministri: Rublat ruse duan rrëmujë

Nga A2 CNN
4 Nëntor 2022, 16:21 | Politikë
“Rama ik” në Tropojë, garda largon demokratin,

Sulmet ndaj Sali Berishës, Edi Rama i përsëriti edhe në Tropojë, por këtë herë mori një kundërpërgjigje nga salla.

“Rroftë Sali Berisha!”, deklaroi një qytetar.

“Tani, patjetër”, iu përgjigj Rama.

 Në vendlindjen e kryedemokratit, dikush i kishte shpëtuar filtrave të socialistëve. Rama u mundua fillimisht të durojë, por kur thirrjet kundër tij vijuan, dha urdhër për ta larguar.

“Rama ik!”, vijoi qytetari.

“Merreni përcilleni tani, hajde e mbarove detyrën, tani shko te foltorja”, urdhëroi Rama.

Garda zbatoi urdhrin duke larguar demokratin nga salla, ndërsa kryeministri vijoi me takimin.

“Putini kërkon që në vendet e NATO-s të ketë rrëmujë, çfarë po kërkojnë këta, rrëmujë. Sepse zgjedhjet janë në maj, çfarë do me thënë kjo që ne do të vijmë dhe do të marrim zyrën, do të marrim çatinë, do të marrim ballkonin. Hajdeni njerëz çohuni, ça do me thënë kjo. Mendoni që është pa lidhje? Jo ka shumë lidhje se për të marrë do të marrin Noc Rrokun”, u shpreh Rama.

Rama mendon që Shqipëria i ka mundësitë të mbulojë të gjithë nevojën konsumatore për energji elektrike, por për këtë duket se i nevojitet edhe një mandat tjetër qeverisës.

“Deri në 2025 do të mund të kemi 100% kapacitetit prodhues për të përballuar nevojat tona për vitet kur kemi reshje të mjaftueshme. Ndërsa për vitet kur s’kemi reshje të mjaftueshme për ta përmbushur gjithë kapacitetin do të kemi vitin 2029”, theksoi Rama.

Për të penguar largimin e infermierëve dhe mjekëve nga Shqipëria, qeveria ka nisur punën për të gjetur një mënyrë se si t’i bllokojë diplomat e tyre. Kryeministri konfirmoi, kur u pyet nga të rinjtë në Tropojë.

“Diploma e mjekëve dhe infermierëve nuk është si çdo diplomë tjetër. Përveç anës teorike, ka edhe një anë praktike ku duhet të tregosh që je njeriu i duhur për t’ia besuar jetën e të tjerëve. Kështu që ne po e studiojmë këtë gjë dhe me shumë gjasa kështu do të ndodhë”.

Ndërsa në një takim tjetër me fermerët, pohoi se largimet nga vendi ishin pjesë e normalitetit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos