Rama në krye të OSBE, opozita: Shqipëria probleme me zgjedhjet e fjalën e lirë

Nga A2 CNN
8 Janar 2020, 12:54 | Politikë

Në zyrat qendrore të OSBE në Vjenë, Edi Ramës i vjen radha të jetë në krye të një prej organizatave me të rëndësishme për lirinë dhe demokracinë në botë. Këtë vend do ta gëzojë për një vit, kryeministri dhe ministri i jashtëm i një vendi ku problemet me zgjedhjet e lira, liria e fjalës dhe parimet e shtetit të së drejtës janë tradicionalisht në krizë.

Në 9 janar, kryeministri do prezantojë në krah të sekretarit të përgjithshëm të OSBE, Thomas Greminger prioritetet kryesore të OSBE-së,  që fokusohen tek zbatimi i angazhimeve kryesore politike të organizatës dhe vazhdimin e dialogut mes vendeve anëtare dhe afirmimin e lirive dhe të drejtave. Por opozita në Shqipëri e sheh me skepticizëm drejtimin 1-vjeçar nga Tirana të organizatës.

Rama gjatë ceremonisë së dorëzimit të presidencës nga Sllovakia

“Si mundesh të drejtosh presidencën kur ke kaluar një legjislacion të kritikuar nga të gjitha organizatat e mëdha? Si mund të drejtosh OSBE dhe të flasësh për standardet e zgjedhjeve? Ky vend që do të shkojë të flasë në emër të këtyre vlerave është në momentin më të keq, çfarë i jep një goditje besueshmërie edhe vetë organizatës”, thotë Aldo Bumçi i Partisë Demokratike.  

https://a2news.com/2019/12/06/tirana-zyrtare-merr-kryesimin-e-osbe-rama-drejtimi-moment-historik-dhe-inspirim/

Dakord është edhe Edmond Panariti i LSI-së. “Vjen në një moment të keq për vendin, ku ne kemi cenim të rëndë të demokracisë funksionale dhe parimeve për të cilën është krijuar OSBE, liria e shprehjes dhe organizimit të zgjedhjeve pluraliste, gjëra që Shqipëria nuk ka”, shpjegon ai.  

Ish ministrat e jashtëm i sugjerojnë mazhorancës të shfrytëzojnë këtë  shans për të rivendosur dialogun politik në Shqipëri.

Por sa do të shërbejë udhëtimi drejt Vjenës dhe sa do ndikojë atmosfera e zyrave qendrore të OSBE tek kryeministri shqiptar? 2020 tërheq pas një krizë të fortë politike dhe institucionale dhe vështirë të parashikohet por ajo çfarë mbetet detyrë shtëpie për klasën politike është zgjidhja e krizës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos