Rama në Moskë: Sa më shpejt Serbia ta njohë Kosovën, do të jetë mirë për të gjithë

Nga A2 CNN
26 Shkurt 2020, 13:22 | Politikë
Rama në Moskë: Sa më shpejt Serbia ta njohë Kosovën, do

Vizita e Edi Ramës, në Moskë, e para e një kryeministri shqiptar në kryeqytetin rus pas 25 vjetësh, diktoi një agjendë diskutimesh përtej presidencës së OSBE nga Shqipëria.

Takimi me ministrin e Jashtëm, Sergei Lavrov, vuri përpara dy sfida në raportet Tiranë-Moskë, afrimin e marrëdhënieve bilaterale dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Nuk mund të ketë realitet tjetër, veç atij të njohjes së Kosovës së pavarur nga Rusia”, tha kryeministri Edi Rama.

“Rusia është pjesëmarrës kyç në zonat e konfliktit. Unë besoj që Rusia mund të përdorë ndikimin e saj për të na çuar më pranë paqes, shpresoj fort që do ta bëjë këtë. Ne jemi anëtar krenar të NATO-s, aleat krenar i SHBA-së  dhe BE-së , qëndrojmë plotësisht në përputhje me miqtë tanë të mëdhenj kur bëhet fjalë për sanksionet. Unë dua të them se është shumë e qartë për ne, si kryesi, e ne do të përpiqemi deri në fund të mos jemi të përfshirë drejtpërdrejt me çështjen e Kosovës, se në këtë pikë nuk do të kemi asnjë ndikim. Pozita e qeverisë është e qartë, sa më shpejt Serbia të njohë Kosovë, aq më mirë do të jetë për të gjithë ne dhe për vetë Serbinë”, tha Rama.

Sikurse nuk e fshehu as kryeministri, dy vendet janë shumë larg për këtë. Rusia, jo vetëm që nuk ka një datë për njohjen e Kosovës, por qëndron ende te rezoluta 1244 e OKB-së, që i përket vitit 1999.

Kryediplomati Sergi Lavrov nuk kurseu kritikat ndaj Europës për dështimin e dialogut Prishtinë-Beograd.

Për të konfirmuar se marrëdhëniet Rusi-Shqipërisë janë në nivelin më të ulet, kryeministri Edi Rama solli në vëmendje se nga koha e Stalinit nuk ka asnjë telefonatë zyrtare mes dy kryeqyteteve. Partneriteti me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n u nënvizua si zgjedhje e Shqipërisë, por Moska thotë se kjo nuk duhet të pengojë marrëdhëniet dypalëshe, duke nisur nga marrëveshjet e firmosura, por ende pa e ratifikuar.

Në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së, Kryeministri Edi Rama i kërkoi Rusisë zbatimin e marrëveshjes së Minsk-ut për ndalimin e konfliktit në Ukrainë.

Lavrov kritikoi OSBE-në duke deklaruar se në organizatë ka fituar retorika sulmuese. Rama dhe Lavrov u angazhuan për t’u dëgjuar me shumë ne telefon, si hapi i parë për forcimin e bashkëpunimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos