
Kryeministri Edi Rama nga Skrapari, i cilësuar historikisht si bastion i LSI, sulmoi edhe një herë presidentin Ilir Meta dhe partinë që ka themeluar.
“Metës i jam falënderues se më ka bërë të përjetoj një nga eksperiencat më të bukura në jetë, kanionet, dhe më ka futur në shtëpitë tuaja. Nuk do të doja kurrë që gjërat midis Metës dhe familjes socialiste të kishin arritur në këtë pikë ku nuk ka më kthim mbrapa”.
Sipas tij “në 2009 Skrapari e bekoi Ilir Metën, në një betejë që ai e nisi për arsyet e asaj kohe, ku u duk sikur partia që ai krijoi ishte aty për t’iu dhënë vend shumë njerëzve të mirë dhe punëtorë, dhe të rinjve që nuk ndiheshin të përfshirë në Partinë Socialiste, që kishte hyrë në një epoke plakje dhe lodhje”.
Për Metën, “tani i është bashkuar një partie që nuk ka asnjë lidhje me Skraparin, pa skraparllinjtë Ilir Meta do të ishte askush, nuk do ta njihte asnjëri. Sot po ky vend duhet t’i thotë atij shih punët e tua, mos u përziej me punët e shtetit”.
Rama, ironizoi edhe me kandidaturat e kësaj fushate të LSI. “Shembulli i degradimit përfundimtar i tyre, është kufizuar lista e kandidatëve te krushqia, nuk i besojnë më askujt. E pushkatuan Luan Ramën në Vlorë, me ferman të Vasilit. Pse? E quajtën tradhtar”. (A2 Televizion)