Rama njofton rritje page për disa kategori

Nga A2 CNN
28 Shtator 2022, 12:59 | Politikë
Rama njofton rritje page për disa kategori

Këshilli i Ministrave miratoi rritjen e rrogave deri në 15%. Kryeministri Rama preferoi t’i komunikonte personalisht përfituesit e vendimit.

“Kemi marrë vendimin që Policia e Shtetit, nivelet bazë, pra gjithë punonjësit e Policisë në nivel inspektorësh si dhe niveli i mesëm të kenë një shtesë page. Shtesa më e lartë është për nivelin bazë, shtesa në vijim është për nivelin e mesëm, respektivisht 15% dhe7%. Po ashtu, e njëjta gjë vlen për Gardën e Republikës, kemi një shtesë page. E njëjta gjë vlen dhe për Policinë e Burgjeve, kemi një shtesë page. E njëjta gjë vlen për zjarrfikësit, kemi një shtesë page”, tha kryeministri.

Më shumë para do të shkojnë edhe në xhepat e administratës publike. “E njëjta gjë vlen për administratën publike dhe jo vetëm për nëpunësit në shërbimin civil, por edhe për gjithë punonjësit mbështetës dhe të gjitha këto vendime hyjnë në fuqi menjëherë. Pra, paga e ardhshme që do të marrin të gjitha këto kategori do të jetë paga e rritur sipas përcaktimeve të bëra nga vendimet përkatëse dhe sipas përqindjeve në bazë kategorish, por ajo që vlen të theksohet është se principi mbetet po ai i ditës së parë. Kush ka më pak, mbështetet më shumë”.

Pavarësisht presioneve të partnerëve ndërkombëtarë, kryeministri pohoi se nuk heq dorë nga ideja e amnistisë fiskale. Gazetarët I rikujtuan se nisma kundërshtohet edhe nga vendet e Bashkimit Europian, ndërkohë që Shqipëria ka nisur tashmë negociatat.

Rama nuk ua mbylli derën rusëve që largohen nga vendi i tyre për t’i shpëtuar mobilizimit në frontin e luftës në Ukrainë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos