Rama: Pas “Lasgushit”, “Migjeni” nis fluturimet drejt Italisë në fillim të vjeshtës

Nga A2 CNN
3 Gusht 2019, 10:41 | Aktualitet

Me anë të një tjetër postimi ditën e shtunën në “Facebook”, Kryeministri Rama bën të ditur se një tjetër avion i kompanisë “Air Albanias” do të nisë fluturimet në drejtim të Italisë në fillim të vjeshtës.

“Pas “Lasgushit” që mbulon Stambollin, ja edhe “Migjeni”, avioni i dytë i flotës së “Air Albanias” që do të fluturojë në fillimvjeshtë drejt Italisë. Boeing 737 i vitit 2016, me shërbim të standardeve të larta nga trupa shqiptare e stjuartëve, që nga ushqimi në bord që ishte harruar prej shumë vitesh për udhëtarët e Rinasit dhe me televizor për çdo pasagjer, si asnjëherë më parë”, shkruan Rama.

Më tej, Rama njofton se flotës së avionëve do t’i shtohen edhe dy të tjerë, “Naimi” dhe “Noli”, siç i quan ai. “Tani vazhdoni shani e përqeshni që mos na marrin më sysh, ndërkohë që “Naimi” do t’i shtohet flotës në fund të vitit për destinacione të tjera europiane dhe më tej, do të vijë “Noli” për linjën direkte Shqipëri-Amerikë. Më tutje do të vazhdojë zgjerimi i flotës me të tjerë, bazuar mbi suksesin e fazës së parë, po më mirë i’a lemë kohës të na tregojë e të flasë. Se gur-gur bëhet muri dhe mur pas muri bëhet kalaja thotë Populli; po normal që çdo popull ka të paduruarit e të pagdhendurit e vet, kështu që rroftë puna se ajo mbetet, ndërsa llafet lum kush i duron deri kur t’i marrë era”, mbyllet postimi i Ramës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos