
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryebashkiaku Pjerin Nderu dhe me drejtuesin politik për qarkun Ulsi Manja, ka vijuar sot me mbjelljen e pemëve në bashkinë Lezhë.
Kryeministri dhe Manja u kujtuan qytetarëve të mbledhur në këtë takim se Pjerini ka bërë punë të mira, “por ka mundur t’i bëjë sepse ka pasur mbështetjen e qeverisë.”
Kryeministri Edi Rama nuk la pa përmendur edhe kreun e Rithemelimit Sali Berisha dhe aleatin e tij, kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Sipas tij, “këta të fundit janë dy hijë që janë turp për Shqipërinë.”
“Dy hije që janë turp për Shqipërinë, që duan të kapin ca të kapin. Për hallin e tyre që t’i tregojnë botës se duhet të kaloni nga ne këtu në Shqipëri, se jemi ne këtu.”
Ndërsa, sa i përket kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Lezhën, Pashk Gjonin, Rama tha se me siguri Gjoni ka probleme me vendimmarrjen.
“Një njeri që i jep karrierën dy hijeve, me siguri ka një problem me sistemin e vendimmarrjes në kokën e vet. I ka humb pini dhe punon vetëm me atë wallpaperin aty.”
Rama pranoi se në çdo sektor mund të ketë probleme dhe punë për t’u bërë, por shtoi se problemet nuk mund të zgjidhen duke “bërë pas”.
“Një njeri pa pin dhe pa bateri, pa baterinë e qeverisë çfarë do të bëjë ai për ju?” Ishte pyetja e Ramës për Pashk Gjonin, për të cilin nënkuptoi se edhe nëse e fiton bashkinë, nuk do të ketë “mbështetjen e qeverisë.” (A2 Televizion)