
Konferenca për shtyp me gazetarët i dha mundësinë Sali Berishës të komentonte mbi zërat që qarkullojnë së fundmi në ambientet politike, sipas të cilave Kryeministri Rama do të ishte i interesuar përzgjedhje të parakohshme në vjeshtë, që do t’i mundësonin më pas shtimin e kompetencave kushtetuese të presidentit të republikës, një post që pas katër vjetësh, kur të mbarojë mandati i Bajram Begajt, mund të jetë në objektivat e shefit aktual të Qeverisë. Kjo do të kërkonte edhe një pjesë të votave opozitare, ndaj Berisha u distancua.
“Opozita ka qenë, është dhe mbetet e betuar për sistem parlamentar në Shqipëri. Ky njeri që po flet këtu, në vitin 1992 ka pasur kompetenca ekzekutive dhe është shprehur që në atë kohë kundër dhe është gjithnjë kundër. Kurrë opozita nuk mund të marrë pjesë në një akt të tillë”, tha Berisha.
I hapur u shpreh ndaj disa prej propozimeve të bëra publike nga partitë e vogla, duke shtuar idenë e tij për pjesëmarrje të detyruar në votim të elektoratit.
“Jam dakord plotësisht dhe e kam ngritur para disa vitesh uljen e moshës për të drejtën e votimit në 16 vjeç. Kam bërë fushatë për këtë në vitin2013. Jam i hapur plotësisht për proporcional të pastër, për lista të hapura. Proporcionali i pastër nuk mund të injorohet”, tha ai.
Berisha pranoi se është takuar në zyrën e tij me Alma Kaçin, vajzën që shfaqet në videon erotike me ish-kreun e Bashkisë Kukës, Safet Gjiçi, por mohoi të jetë ai që fshihet pas kësaj afere. Një opsion më i besueshëm, sipas tij, është lufta e brendshme në Partinë Socialiste.
“Është e vërtetë që ka ardhur, nuk është e vërtetë kurrë se nuk është praktika ime e luftës politike kjo, se Erion Veliaj nuk do ishte kurrë ky që është në detyrë, po unë jam Sali Berisha dhe nuk shkoj në këto veprime. Këtë e di edhe Erion Veliaj vetë”, theksoi Berisha.
Sa i përket asaj që e quan masakër zgjedhore, Berisha njoftoi se raporti është gati dhe do të publikohet gjatë javës së ardhshme. Sipas tij, raporti fakton se zgjedhjet e 14 majit ishin një farsë. (A2 Televizion)