
Ndërsa mjeku kardiolog Edvin Prifti përballet në gjykatë, ndaj të cilit prokuroria kërkon arrest me burg, pas sekuestrimit të një shume të madhe parash, ka ardhur edhe reagimi i kryeministrit Rama. Gjatë një takimi me qytetarë të Tiranës, kreu i qeverisë deklaroi se sistemi ka filluar të funksionojë dhe kjo do të rrisë besimin e njerëzve që të denoncojnë.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas sekuestrimit të një shume të madhe parash në banesën dhe në zyrën e mjekut të QSUT, Edvin Prifti, pasi u zbulua nga përgjimet në Gjykatën e Krujës.
“Sistemi ka filluar të funksionojë. Bashkë me gjykatësen, u arrestua edhe një mjek, shef pavijoni që ju gjetën në shtëpi paratë e dynjasë. Është një lajm shumë i mirë për sistemin, kjo do të rrisë besimin e njerëzve që të denoncojnë dhe faktikisht në rastin e mjekut ka pasur një denoncim, të cilin e ka përcjellë drejtori i spitalit në sistem, për të thënë shikojeni, nuk jam unë që ta provoj por shikojeni është nuk është. Kështu gjërat fillojnë dhe vijnë hap pas hapi, nuk ka shkop magjik e formula magjike, që gjërat të bëhen në kohën e nevojshme pa kohën e duhur, vullnetin, rezistencën e forcën e lidershipit dhe mbi të gjitha pa vetëdijen që nuk bëhet dot ajo që s’është bërë me vite e vite duke përsëritur të njëjtën gjë. Sa herë të përsërisësh të njëjtën gjë dhe të presësh rezultate të tjera”.
Mjeku i QSUT-së, Edvin Prifti u zbulua nga përgjimet në Gjykatën e Krujës.
Ndërsa gjyqtaren Enkelejda Hoxha, e cila u arrestua pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama e ka konsideruar një monstër që përdori forcën e abuzimit dhe habiti të gjithë për të liruar njerëz me burgime të përjetshme.
“Ama fakti është që një gjykatëse, një monstër, që e përdori në mënyrë spektakolare forcën e papërgjegjshmërisë dhe të abuzimit disa kohë me parë dhe u habit gjithë dynjaja me vendimet e saj për të liruar njerëz që ishin me burgime të përjetshme është sot në burg bashkë me gjithë rrjetin e saj. Ky përbën shembullin sesi sistemi do të funksionojë”. (A2 Televizion)