Rama: Thelbësore që Japonia të jetë më e pranishme në Ballkan

Nga A2 CNN
22 Shkurt 2023, 14:10 | Politikë
Rama: Thelbësore që Japonia të jetë më e pranishme

Kryeministri Edi Rama e quajti thelbësor shtimin e pranisë së Japonisë në Ballkanin Perëndimor. Gjatë një konference të përbashkët për mediat me homologun japonez Fumio Kishida, Rama e ftoi atë të vizitonte vendin tonë.

“E vizitoj Japoninë pasi kam fituar tri zgjedhje dhe shpresoj që ju zoti kryeministër të vizitoni vendin tonë së shpejti” tha Rama në fjalën e tij. “Është lajm i shkëlqyer të dëgjosh që qeveria juaj angazhohet të emërojë një ambasador përgjegjës për Ballkanin Perëndimor. Është e një rëndësie thelbësore që Japonia të jetë më e pranishme në rajonin tonë”.

Duke u ndalur te roli i dy shteteve në Këshillin e Sigurimit në OKB në këtë periudhë krizash globale, Rama vlerësoi bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Japonisë. “Vërtet jemi larg gjeografikisht. Jemi ndryshe, pasi Japonia është e madhe, ne të vegjël, Japonia është e pasur, ne nuk jemi kaq të pasur. Por në një botë që është e përfshirë gjithmonë nga shqetësimet dhe krizat e papritura ajo që na bashkon më shumë janë vlerat. Dhe të jesh pjesë e kësaj familjeje vlerash është më e rëndësishme sot se dje, dhe mund të jetë më e rëndësishme nesër sesa sot”, shtoi ai.

“Kështu që duke shpresuar që së shpejti qeveria japoneze do të bëjë të mundur që shqiptarët të udhëtojnë pa viza në Japoni ashtu siç japonezët mund ta bëjnë këtë drejt Shqipërisë, ne presim që ky bashkëpunim të forcohet”. (A2 Televizion)

https://youtu.be/hKDj1tre-Tk

A2 CNN Livestream

Latest Videos