
“Pa marrë përgjigje pyetjet e ngritura nga opozita për çështjen McGonigal, Shqipëria do të ketë vetëm kaos.” Ishte ky paralajmërimi i bërë nga kreu i demokratëve, Sali Berisha, nga foltorja e Parlamentit, ndërsa mbahet mocioni me debat me kryeministrin Edi Rama.
Kreu i qeverisë nuk është ulur në vendin e tij në Kuvend, por ka shkuar pranë deputetit Pandeli Majko, dhe për Berishën, ishte zgjedhja e duhur pasi “nuk ka si të dalë para shqiptarëve.”
"Aty ku është karrigia e kryeministrit qëndron McGonigal. Kurse ai që duhej të ishte aty është iluziv sepse i ka hyrë lepuri në bark. Mirë është të sjellë një barrelë këtu sepse i ka ra fuqia te këmbët. Ai sot bëri mirë që nuk doli aty, se nuk ka si të paraqitet para shqiptarëve me krimin e shëmtuar transatlantik që ka kryer.”
Berisha u zotua po ashtu se opozita do të bëjë gjithçka që t’i heqë imunitetin diplomatik kryeministrit Rama, pasi sipas tij është i vetmi që e ka shpëtuar deri tani.
Kreu i demokratëve përsëriti po ashtu edhe një herë kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për çështjen McGonigal. (A2 Televizion)