Raporti i Bankës Botërore, Shqipëria pritet të ketë rritjen ekonomike më të ngadaltë në rajon

Nga A2 CNN
24 Tetor 2022, 16:43 | Ekonomi
Raporti i Bankës Botërore, Shqipëria pritet të ketë

Shqipëria dot ë jetë shteti me rritjen ekonomike më të ngadaltë përgjatë dy viteve që na presin. Kështu shprehet raporti i fundit i Bankës Botërore, titulluar “Përtej krizave”.

Turizmi ishte faktori kryesor që ndikoi në rritjen e pritshme në 3.2% këtë vit, ndërsa vlerësohet edhe mbrojtja e qytetarëve dhe bizneseve nga shtrenjtimi i energjisë elektrike.

Por nga 1 janari, Shqipëria pritet të ketë rritjen e prodhimit të brendshëm bruto më të ulët në rajon. Konkretisht 2.3% në vitin 2023 dhe 2.5% në vitin 2024, kur mesatarja e rajonit do të jetë përkatësisht 2.8% dhe 3%.

Ndikimi kryesor do të vijë nga lufta në Ukrainë, rritja e shpejtë e çmimeve të energjisë dhe ngadalësimi i rritjes ekonomike botërore. Hapat e ngadaltë në rrugën e anëtarësimit në BE dhe vonesa e reformave pritet gjithashtu të ndikojnë në mjedisin e brendshëm ekonomik.

Për të përballuar goditjet aktuale, Banka Botërore i bashkohet sugjerimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, për t’i dhënë përparësi politikave mbështetëse për shtresat e cenueshme.

Por kjo me kushtin që masat të jenë të shtrira në grupet më të rrezikuara dhe të zgjasin vetëm aq sa është e nevojshme, për të shmangur rritjen e borxhit publik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos