Shtresat që rrezikohen nga thellimi i krizës ekonomike

Nga A2 CNN
21 Tetor 2022, 20:10 | Ekonomi
Shtresat që rrezikohen nga thellimi i krizës ekonomike

Thellimi krizës do të prekë kryesisht shtresën e mesme dhe të varfër, si edhe bizneset e vogla. Këtë mendim ndanë në A2 Business ekspertët e ekonomisë Enea Janko, Anisa Jasini dhe Eduart Gjokutaj, sipas të cilëve buxheti ka më shumë qasje elektorale sesa t’i adresohet thellimit të krizës. Po kështu edhe paketa fiskale, për ekspertët është një kthim pas.

“Viti 2023 do të vazhdojë të jetë i vështirë për shkak të krizës energjetike inflacionit dhe faktorë të brendshëm. Rritja ekonomike do të jetë shumë e ulët, do të ishte mirë të mos kalojmë në recesion. Studiuesit parashikojnë që Europa të kalojë në recesion. Shpresoj që qeveria shqiptare të bëjë disa rregullime për të mbështetur prodhimin vendas, por besoj që kriza do të vazhdojë. Shtresat në nevojë, konsumatorët do ta vuajnë më shumë. Nuk shoh ndërhyrje në buxhet për të mbështetur këtë shtresë. Kjo paketë fiskale nuk ka lidhje me situatën dhe krizën që po kalon vendi, më tepër do ta shtrëngojë biznesin, edhe efektet. Biznesi ka mungesë prodhimi, mungesë konkurrueshmërie dhe kjo paketë e zmadhon më shumë. Të rrisësh taksat kur qeveritë e vendeve të tjera po i lehtësojnë. Kjo paketë është një kthim pas”, thotë Enea Janko.

Për eksperten Anisa Jasini, kjo është një krizë ekonomike e cila rëndon direkt mbi konsumin, inputet dhe çmimin.

“Shtresa e mesme dhe e varfër rrezikohen më shumë dhe preken gjerësisht nga krizat dhe recensioni dhe ka nevojë që vëmendja e qeverisë duhet të jetë e shtuar ndaj këtyre shtresave. Rritja e taksave, paketa fiskale, tatimi i shtuar për energjinë duhet të përkthehet në mbështetje për shtresat në nevojë dhe kategori të caktuara të ekonomisë si bujqësia që kanë nevojë. Kjo krizë do të thellojë problemet dhe do ta bëjë më të vështirë biznesin si në bujqësi, por edhe për individët. Kjo është një krizë ekonomike e cila rëndon direkt mbi konsumin, inputet dhe çmimin. Paketa fiskale nuk drejtohet krizës, unifikimi i akcizës vjen si nevojë për të shmangur disa abuzime”.

Në të njëjtën linjë edhe eksperti Eduart Gjokutaj, sipas të cilit qeveria duhet të mbështesë sektorin bujqësor për të rritur turizmin dhe eksportet.

“Nisur nga buxheti  vitit 2023 që sapo u çel, do të reflektojë ato që nuk kanë reflektuar në 2022, por pasi të kemi kryer konsultimet publike. Ai ka një vazhdimësi me qasje elektorale dhe nuk adreson ato kërkesa që buxheti duhet të reflektonte nga biznesi ekspertët dhe thellimi i krizës. 

“Biznesi i vogël, individët do të jenë më i goditur dhe nuk janë të privilegjuara nga paketa fiskale politika buxhetore dhe mënyra e nxitjes së kryer biznes në Shqipëri, kjo duket në ruajtjen e një politike status quo që ka ndodhur në tkurrjen e konsumit. Kjo paketë nuk adreson nevojat specifike të biznesit por nevoja të buxhetit, të lehtësimit të kostove, si do të administrohen tatime të caktuar si akciza, apo taksa nacionale, por jo ato gabime në sektorë të rëndësishëm që është harruar, është bujqësia që duhet të ishte ajo që duke e ndihmuar do jepte impaktet e veta që do të ndihmonte turizmin dhe eksportet”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos