Raporti i OBSH për pandeminë, deklarata e 14 shteteve: Kina të ofrojë qasje tek të dhënat

Nga A2 CNN
31 Mars 2021, 12:30 | Bota
Raporti i OBSH për pandeminë, deklarata e 14 shteteve: Kina të

Shtetet e Bashkuara dhe 13 vende të tjera shprehën shqetësim lidhur me raportin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë mbi origjinën e koronavirusit. Ato i kanë bërë thirrje Kinës që të sigurojë "qasje të plotë" në të gjitha të dhënat për shpërthimin e pandemisë.

Reagimi erdhi pasi hetuesit e Organizatës Botërore të Shëndetësisë lëshuan një raport të kryer me ekspertë kinezë për origjinën e COVID-19, duke thënë se ishin hasur me vështirësisë për të siguruar të dhëna të papërpunuara.

Studiuesit gjithashtu ishin detyruar të prisnin me ditë përpara se të merrnin lejen përfundimtare nga qeveria kineze për të hyrë në Wuhan.

 “Misione shkencore të kësaj natyre duhet të jenë në gjendje të bëjnë punën e tyre në kushte që të prodhojnë rekomandime si dhe gjetje të pavarura e objektive. Ndajmë shqetësimin e përbashkët lidhur me studimin dhe mbështesim përgatitjen e një analize transparente dhe të pavarur për origjinën e koronavirusit, pa ndërhyrje dhe ndikim të padrejtë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të 14 shteteve.

Deklarata u publikua në faqen e Departamentit amerikan të Shtetit, disa orë pasi shefi i ekipit të OBSH-së, Peter Ben Embarek, paraqiti rezultatet e fazës së parë të hulumtimit të origjinës së mundshme të koronavirusit në një konferencë shtypi në Gjenevë.

Edhe kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se duhen hetime të mëtejshme për të përjashtuar përfundimisht teorinë se koronavirusi ka dalë nga një laborator në Kinë.

Ghebreyesus tha të martën se rrjedhja nga laboratori është shkaku më pak i mundshëm, porse duhet bërë një hulumtim më i gjerë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos