
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka reaguar pas publikimit të raportit të OSBE-ODIHR-it, duke u shprehur se ai “konfirmoi edhe një herë se në 30 qershor nuk kishte zgjedhje dhe për pasojë sot kemi një pushtet lokal të paligjshëm dhe shqiptarët duhet në çdo mënyrë të votojnë sa më parë dhe të kenë pushtetin e tyre local”.
Mediu shtoi gjithashtu se raporti tregon se “dekreti i Presidentit është në fuqi dhe vetëm Gjykata Kushtetuese mund ta shqyrtojë atë”. Sipas tij, raporti thekson se “në bashki nuk ka kryetar të zgjedhur, por zgjatim të strukturave kriminale dhe korruptive të emëruar nga Rama”.
“Rama dhe struktura e tij kriminale kanë kryer një krim elektoral duke manipuluar zgjedhjet, duke mos zbatuar Kushtetutën dhe dekretin e Presidentit, kanë kryer dëm financiar duke zëvendësuar zgjedhjet lokale me zgjedhje politike të Rilindjes. Kjo sjellje tipike hitleriane ka vetëm një zgjidhje: organizimi sa më parë i zgjedhjeve lokale dhe parlamentare”, shprehet Mediu.
Më tej ai vazhdoi leximin e tij për raportin: “KQZ është
një zgjatim kriminal i Rilindjes që ka shkelur hapur Kushtetutën dhe kodin
elektoral. Deliri kriminal i KQZ-së ka kaluar çdo kufi, duke i dhënë vetes
autoritetin e gjykimit të Kushtetutës, përjashtimit të opozitës dhe krijimit të
opozitave fiktive. Përgjegjësia e tyre është përgjegjësi përballë ligjit. KQZ
mban përgjegjësi penale për mosorganizimin e zgjedhjeve të 13 Tetorit. Kjo KQZ
duhet të ndryshojë sa më parë, duke e kthyer në një KQZ të balancuar siç e kërkon
ligji dhe Kushtetuta.
Rama ka një axhendë tërësisht antieuropiane dhe antikombëtare, ai dhe Rilindja
qëllimisht përpara çeljes së negociatave me BE-në ka shtuar zullumin korruptiv,
kriminal dhe i mohoi shqiptarëve të drejtën për zgjedhje të lira dhe të
ndershme”. (A2 Televizion)