
Tritan Shehu komentoi në A2 dhe raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Sipas Shehut, ky raport konfirmoi edhe njëherë qëndrimin e opozitës dhe disa institucioneve të tjera të huaja për masakrën elektorale që u krye në Shqipëri në zgjedhjet e fundit. Ai shtoi se opozita duhet të përdorë të gjitha mjetet për rrëzimin e këtij regjimi.
“Është në të njëjtën linjë me të Këshillit të Europës. Kjo ishte një masakër zgjedhore e organizuar. Shteti u organizua për të tjetërsuar votën. Ky parlament nuk është në përputhje me aspiratat e shqiptarëve dhe vullnetin e tyre. Kjo që thotë OSBE-ODIHR janë maja e ajsbergut e masakrës së 25 prillit për të deformuar vullnetin e shqiptarëve. Zgjedhjet janë të rënë, të pavlefshme. Ne kemi thënë që nuk i njohim këto zgjedhje. Opozita duhet të përdorë të gjitha mjetet për rrëzimin e këtij regjimi nga parlamenti deri tek protestat”, u shpreh Shehu. (A2 Televizion)