Raporti i “Reporterë pa Kufij”: Ligji Antishpifje do të thellojë censurën në Shqipëri

Nga A2 CNN
16 Dhjetor 2021, 22:53 | Aktualitet

Raporti për vitin 2021 i organizatës “Reporterë pa Kufij” jep shifra shqetësuese për sa i përket lirisë së mediave në botë.

Sipas raportit, janë 488 aktualisht punonjësit e mediave që gjenden në burgjet e planetit për shkak të punës së tyre. Janë shifra alarmante, më të lartat që nga fillimi i monitorimit të kësaj situate, 5 vite më parë, që burojnë veçanërisht nga tensionet në Mjanmar, Hong Kong dhe Bjellorusi.  

Kurrë më parë ka patur aq shumë gra të arrestuara, 60, ndërkohë që është Kina vendi që ka më shumë gazetarë në qeli, plot 127, i ndjekur nga Manmari me 53, Vietnami me 43 dhe Bjellorusia me 32.

Si paradoks, numri i ekzekutimeve të gazetarëve është më i ulëti i kësaj periudhe, 46 viktima që sipas autorëve të raportit janë rezultati i stabilizimit relativ gjatë këtij viti të gjendjes në Lindjen e Mesme.  

Vendet me lirinë shtypit më të spikatur, si gjithmonë, janë ato skandinave, me Norvegjinë në vendin e parë të ndjekur nga Suedi, Finlandë dhe Danimarkë.  

Kliko për raportet e secilit vend

Ndërkohë, vendi jonë ndodhet në vendin e 85-të, pesë vende më poshtë se Kosova, por edhe shtatë pozicione më lartë se Maqedonia e Veriut dhe nëntë nga Serbia, që cilësohet si vend ku sulmet ndaj gazetarëve “janë të përditshme, ashtu si dhe lajmet false të shpërndara nga mediat afër qeverisë”.  

Për sa i përket vendit tonë, raporti flet miratimin e të ashtuquajturit Ligj Antishpifje, “edhe pse Komisioni i Venecias këshilloi të kundërtën”, që sipas tyre do të thelloi censurën, “në një vend ku qeveria tashmë kufizon aksesin e gazetarëve në informacion dhe përdor ndarjen e licencave për të kontrolluar peizazhin e medias transmetuese”, dhe ku përdorimi i gjuhës denigruese i ka kthyer gazetarët “në objektiva të mundshëm sulmi”.  Ndërkohë, raporti lavdëron faktin që mediat krijuan një platformë për vetërregullimin etik, e para e këtij lloji në Shqipëri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos