Raporti i Transparency International: Shqipëria, vend me nivel të lartë korrupsioni

Nga A2 CNN
30 Mars 2021, 11:32 | Politikë
Raporti i Transparency International: Shqipëria, vend me nivel të

“Kapja e shtetit në Shqipëri është rritur ndjeshëm midis viteve 2008 dhe 2019”, ndërsa “korrupsioni i nivelit të lartë vazhdon të nxitet nga privatizimi i pronës publike dhe shërbimeve”.

Në këtë përfundim del një raport i përgatitur nga Transparency International, i quajtur “Zbërthimi i kapjes së shtetit në Shqipëri: Një shqyrtim i rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe ligjeve të bëra me porosi 2008-2020”.

Sipas raportit, korrupsioni i nivelit të lartë është mundësuar nga mekanizmat e pamjaftueshme institucionale të kontrollit dhe balancës së pushteteve, si dhe nga politizimi i administratës publike. Këto faktorë, thotë raporti, mbështeten nga një gjyqësor i korruptuar që siguron pandëshkueshmëri për autorët e krimeve.

“Dekada e fundit ka dëshmuar një forcim të bashkëpunimit midis politikës, biznesit dhe krimit të organizuar, që ka arritur kulmin e tij gjatë viteve të fundit. Kontratat qeveritare për biznese të zgjedhura dhe të lidhura me funksionarë të spikatur publikë kanë çuar në keqadministrim të pasurive publike, humbje të jetës dhe rritje të borxheve financiare që i rëndojnë taksapaguesit shqiptar. Bashkëpunimi mes partive politike, zyrtarëve publikë dhe grupeve të krimit të organizuar për blerjen e votave në zgjedhjet vendore dhe të përgjithshme në këmbim të shfrytëzimit të institucioneve publike për interesa private e ka dëmtuar rëndë integritetin e procesit zgjedhor”

Pjesë nga përfundimet e raportit të TI

Këto prirje vazhdojnë pa u ndalur, thotë raporti, pavarësisht reformave të mbështetura nga BE-ja që synojnë të krijojnë e një administratë publike profesionale dhe një gjyqësor të paanshëm dhe profesional.

“Në rastin e reformës në drejtësi, ritmi i saj i ngadaltë dhe boshllëku i krijuar nga rivlerësimi gjithëpërfshirës i gjyqtarëve dhe prokurorëve, kanë bllokuar disa hetime dhe kanë zgjatur hetime të tjera. Për më tepër, reforma nuk ka arritur të parandalojë mosmarrëveshjet mes prokurorive dhe gjykatave në lidhje me kompetencën e tyre për t’i ndjekur penalisht dhe për t’i gjykuar çështjet. Mosfunksionimi prej më shumë se dy vjetësh (2018-2020) e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, i ka gërryer mekanizmat institucionalë të kontrollit dhe balancës së pushteteve, duke sjellë përfitime për interesa të paligjshme përmes garantimit të pandëshkueshmërisë. Për më tepër, mungesa e ekspertizës dhe kapacitetet e dobëta administrative të shërbimit të kërkimit parlamentar, së bashku me vendimin e opozitës në shkurt 2019 për dorëzuar mandatet parlamentare, kanë lehtësuar miratimin e ligjeve të bëra me porosi”

Pjesë nga përfundimet e raportit të TI

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos