
Çfarë do të ndodhë me Gjirokastrën dhe statusin e saj si trashëgimi botërore dhe mbrojtjen nga UNESCO? Ka një pikë ku dy pjesët e historisë së javëve të fundit kundërshtojnë njëra-tjetrën. Në Gjirokastër po ndërtohet për projektin e “by pass”-it, projekt në të cilin bën pjesë edhe ndërtimi i një parkingu nëntokësor. Për këtë zhvillim, UNESCO publikoi në faqen zyrtare një letër të dërguar kryeministrit dhe qeverisë shqiptare për të ndërprerë punimet me arsyetimin se rrezikohet identiteti kulturor dhe historik i qytetit.
Për këtë çështje, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ishte e ftuar në Ditarin e mbrëmjes në A2 nga ku dha më shumë detaje. Sipas ministres së Kulturës, UNESCO ka rol këshillues.
“Ka dy të vërteta. Së pari, komunikimi ynë me UNESCO-n është i vazhdueshëm. E vërteta e dytë është se Gjirokastra është një kantier restaurimi prej vitesh. Ajo çfarë ka ndodhur me UNESCO-n, që na fakt daton në një nga komunikimet e fundit që kemi shkëmbyer, në atë të 4 qershorit, ata jo vetëm na kanë përgëzuar edhe për një sërë arritjesh të rekomandimeve të vendosura ndër vite, por duke marrë shkas edhe nga një debat i lindur nga palët e treta, ata thjesht kanë shprehur shqetësimin e tyre nëse këto ndërhyrje i plotësojnë rekomandimet. Procesi i komunikimit me UNESCO-n është i vazhdueshëm. E vërteta është se është një komunikim i 4 qershorit.
Është e vërtetë që UNESCO vjen dhe monitoron, edhe këto ndodhin në mënyrë ciklike. Bëhen specifikisht me ftesën tonë. Për ne janë momente të volitshme për të ndarë me ta një sërë problematikash”, u shpreh Margariti.
Sipas saj, gjetjet gjatë gërmimeve janë të shekullit të XX. “Kemi gjetur disa rrënojë muresh, por datojnë gjatë vitit 1920. Ka qenë një nga muret mbajtëse. Nuk ka vlera të një antikiteti”.
Ministrja shtoi se punimet që po kryhen në disa zona të Gjirokastrës do të shtojnë fluksin e turistëve që do të vizitojnë këto vende me trashëgimi historike. (A2 Televizion)