Rebelimi i Wagner në Rusi, Lavrov dyshon se prapa qëndron një “dorë” e huaj

Nga A2 CNN
26 Qershor 2023, 20:18 | Bota
Rebelimi i Wagner në Rusi, Lavrov dyshon se prapa qëndron një

Kreu i Wagner bëhet i gjallë pas rebelimit në Rusi. Përmes një audioregjistrimi prej 11 minutash, të publikuar nga Bjellorusia, Yevgeny Prigozhin, konfirmon se qëllimi nuk ishte rrëzimi i qeverisë së Presidentit Vladimir Putin, por se ai i së shtunës ishte vetëm një marshim protestues për të garantuar mbijetesën e grupit mercenar.

“Asnjë nga luftëtarët e Wagnerit nuk është detyruar të marrë pjesë në këtë marshim. Të gjithë e dinin qëllimin e tij përfundimtar. Qëllimi i marshimit ishte të shmangej shkatërrimi i grupit Wagner dhe të vihen para përgjegjësisë ata persona, veprimet joprofesionale të të cilëve shkaktuan një numër të madh gabimesh gjatë operacionit special ushtarak”, tha Prigozhin.

Ai rrëfen momentin kur ishte mbushur kupa, duke pohuar se ishte sulmuar me raketa dhe një helikopter të ushtrisë së Rusisë, betejë e cila i vrau 30 luftëtarë përpara se trupat e tij të nisnin të sulmonin. Kreu i Wagner shton më tej se civilët e takuar në rrugë nisën të marshonin në mbështetje të grupit të tij. Gjithashtu, theksoi se ajo që ndodhi të shtunën shfaqi probleme serioze të sigurisë në Rusi.

Sakaq, Wagner vijon të jetë operativ në shtetin rus dhe ka ngritur një qendër rekrutimi edhe në Siberi. Ka raportime se shteti bjellorus, që po i strehon, po ndërton një kamp për luftëtarët e grupit mercenar, 200 kilometra larg kufirit me Ukrainën.

Lidhur me rebelimin ka ndërhyrë edhe ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, duke konfirmuar se Shërbimet e Inteligjencës Ruse po hetojnë nëse agjencitë perëndimore të spiunazhit luajtën një rol në rebelimin e ndërprerë nga luftëtarët mercenar të Wagner të shtunën.

Edhe Presidenti Putin bëri daljen e parë publike pas ngjarjes, por pa komentuar asgjë.

Si për të konfirmuar që ende e kontrollon ushtrinë ruse, ministri i Mbrojtjes, Sergej Shoigu, bëri një tur vizitash në disa reparte ushtarake. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/05/24/e-perserit-lavrov-perfshirja-e-nato-s-ne-luften-e-ukraines-rrit-rrezikun-e-nje-konflikti-berthamor/

A2 CNN Livestream

Latest Videos