Red Bull vijon dominimin në F1, Ferrari ngjitet për herë të parë në podium

Nga A2 CNN
30 Prill 2023, 16:14 | Sporte të tjera

Pas Arabisë Saudite, Sergio Perez fiton edhe në Azerbajxhan.

Piloti meksikan i Red Bullit ngjitet për herë të dytë radhazi në shkallën më të lartë të podiumit, duke lënë pas shokun e tij të skuadrës, Max Verstappen dhe Charles Leclerc, me Ferrari, i cili u nis nga vendi i parë.

Verstappen parakaloi Leclercun që në xhiron e tretë, por humbi kryesimin në dëm të Perez kur ndërroi gomat pak para se në pistë të futej makina e sugurisë, për një aksident të Nyck De Vries. I parakaluar për herë të dytë nga Verstappen, Leclerc e mbylli garën i treti, duke ngjitur për herë të parë në podium për këtë sezon Ferrarin.

Në vend të katërt Fernando Alonso, me Aston Martin. Kjo është hera e parë këtë vit që spanjolli nuk ngjitet në podium. Pesëshen e parë e mbyll spanjolli tjetër, Carlos Sainz, me Ferrari.

Pas kësaj gare, Verstappen vijon kryesimin e Botërorit, por tani me vetëm 6 pikë diferencë nga shoku i tij i ekipit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos