Gjergji Vurmo, hulumtues nga “Instituti për demokraci dhe ndërmjetësim”, në një lidhje direkte me studion e “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, komentoi pyetësorin e publikuar nga kryeministri Edi Rama, ku kërkon mendimin e qytetarëve për një sërë çështjesh.
Sipas Vurmos, “në pyetësorin e përgatitur nga qeveria nuk shoh as kriterin më minimal të respektuar, qoftë në hartimin e pyetësorit, qoftë në konceptimin e mënyrës se si do të zhvillohet ky pyetësor”.
“Kryeministri e ka nisur shpërndarjen derë më derë, ndërsa të tjerë do ta plotësojnë “online”. Anketa apo sondazhi nuk ka një seksion demografik, ku pyeten të anketuarit se kush janë, mosha, statusi i punësimit etj., gjë që na bën të kuptojmë nëse ky kampion është përfaqësues i popullsisë shqiptare. Sepse mund të qëllojë që këta që e kanë plotësuar deri tani pyetësorin, të jenë nga rrjeti i patronazhistëve”, tha Vurmo. (A2 Televizion)