
Drafti i propozuar nga Partia Demokratike në lidhje me vetingun e politikanëve, nuk bind analistët politikë, por as juristët. Afrim Krasniqi vëren mungesën e nevojës për një mekanizëm kaq të ndërlikuar, duke propozuar një zgjidhje më të thjeshtë.
“Të vihet në kodin zgjedhor që partia politike që i del një këshilltar ose deputet i lidhur me krimin të penalizohet në zgjedhjet e ardhshme”.
Edhe sipas Ilir Kalemajt, baza aktuale ligjore i bën të panevojshme këto propozime. Paqartësia e draftit, thekson analisti, përbën një shqetësim më vete.
“Drafti është konfuz në formën dhe mënyrën se si është paraqitur, nuk dimë është kontradiktor me dekriminalizimin. Ne kemi edhe ligjin atimafia, kemi ILDKP. Ne kemi një bazë ligjjore. Aty kishte pika absurde për personat e papërshtatshëm”.
Një përgjigje për këtë çështje dha juristi Ledio Braho, i cili në një intervistë për A2 CNN shpjegoi se një procedurë e tillë është ndjekur edhe në rastin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Ka pasur raste të ngjashme të vetingut gjyqësor, janë vendimmarrje të konfirmuara tani nga KPK dhe KPA që pavarësisht faktit që s’ka pasur një vendim të formës së prerë ndaj edhe në këtë rast është mbajtur i njëjti standard”.
Problemin me propozimet e PD-së, Ledio Braho e sheh te mbingarkesa që rrezikon të sjellë në kurriz të Prokurorisë së Posaçme.
“SPAK-u u ngrit për akuza penale dhe këtu flasim për hetim administrativ. Kjo patjetër që e mbingarkon SPAK-un”.
Për vetingun e politikanëve PD-ja kërkon krijimin e një grupi të posaçëm prej 6 prokurorësh në SPAK, ndërsa i gjithë procesi, sipas propozimit, duhet të mbyllet në një hark kohor 3-vjeçar. (A2 Televizion)