
Deputetët nuk mundën që as në mbledhjen e dytë të Komisionit të nisnin hetimin përzgjedhjet e 25 prillit.
Shkak i debatit ishte mosmiratimi i rregullores së funksionimit të komisionit hetimor, ku socialistët kërkojnë të përcaktohet thirrja me dakordësi e dëshmitarëve. Opozita mendon se mund të thërrasë këdo të dëshmojë dhe akuzon mazhorancën se me forcën e kartonit, përpiqet të bllokojë thirrjen e dëshmitarëve.
“Është caktuar se do të thirret dhe do të thirret edhe kryetari juaj, kryetari i PS-së, Edi Rama, dhe ai do të thirret doni apo s’doni ju”, u shpreh Gazment Bardhi.
Në mbrojtje të kryeministrit u hodhën deputetët e tij, duke theksuar se nuk i është shmangur ndonjëherë drejtësisë. Krahasimi me kryetarin e demokratëve ishte i menjëhershëm.
“Diçka për Ramën që nuk i shmanget. Raportet e përdorur nga Basha për të mos vajtur janë qesharake, ka edhe për një fëmijë 12-vjeçar”, tha Blerina Gjylameti.
Një zgjidhje u mundua ta ofrojë deputeti Oerd Bylykbashi. “Le të dalë me raport mazhoranca të thotë se ne nuk e njohim vjedhjen e zgjedhjeve se ne i vodhëm dhe nuk quhemi hajdutë. Por provën nuk ia merrni dot askujt”, tha Oerd Bylykbashi. Debatet rezultuan sërish shterp dhe mosdakordësia në menaxhimin e mbledhjes bëri që PS-ja ta braktisë pas më shumë se 2 orësh diskutime.
(A2 Televizion)