Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, falënderoi komisionierin europian për Fqinjësinë e Mirë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, për mbështetjen ndaj Shqipërisë. “Theksova përpjekjet e Partisë Demokratike për të kontribuar në Reformën Zgjedhore. Nënvijëzova se vullneti politik është vendimtar në përmbylljen e saj dhe për të siguruar zgjedhje demokratike, të çliruara nga blerja e votës dhe ndikimi i krimit të organizuar”, shkroi Basha në Twitter pas bisedës.
Më herët, ishte komisioneri Varhelyi që bëri thirrje për përfundimin e Reformës Zgjedhore. “Mirëprita rinisjen e bisedimeve ndërpartiake për Reformën Zgjedhore në Këshillin Politik. Përmbyllja e saj pa shtyrje të mëtejshme është diçka kyçe për Shqipërinë dhe rrugën e saj drejt Bashkimit Europian”, u shpreh ai. (A2 Televizion)