Reforma Zgjedhore, Bylykbashi: U mbyll mbledhja më e rëndësishme. Vasili: Nga sot, në një fazë tjetër

Nga A2 CNN
24 Qershor 2020, 22:00 | Politikë
Reforma Zgjedhore, Bylykbashi: U mbyll mbledhja më e rëndësishme.

Oerd Bylykbashi, përfaqësuesi i PD-së në Këshillin për Reformën zgjedhore, u shpreh se tryeza e sotme ishte më e rëndësishmja, pasi u finalizuan të gjitha pikat në lidhje me dakordësinë e datës 5 qershor.

“U mbyll mbledhja më e rëndësishme për reformën zgjedhore. Sot u përmbyllën të gjitha pikat në lidhje me dakordësinë e datës 5 qershor. U pranua propozimi i tretë i opozitës në lidhje me KQZ-në, duke siguruar garancitë që procesi për ngritjen e KQZ-së do të bëjë të mundur të mos kemi një organ me persona të emëruar politikisht. Opozita bëri të mundur që qeveria të mos ketë mundësi të prekë administrimin e zgjedhjeve. Me mbledhjen e sotme, Kodi Zgjedhor do të ketë garanci shtesë që vota e shqiptarëve të mos tjetërsohet”, tha Bylykbashi.

Ndërkohë, Vasili theksoi se nga ky moment, jemi në një fazë tjetër, e cila ka të bëjë me zbatimin e reformës.

“U mbyll një fazë shumë e rëndësishme. Opozita nuk u tërhoq nga marrëveshja, pavarësisht momenteve për ta penguar atë dhe dha një provë integriteti politik dhe moral. Kjo ka qenë një provë e sikletshme për mazhorancën që synoi t’i ikte marrëveshjes, që nuk kishte të bënte me opozitën, por me fatin e zgjedhjeve. Sot, me këto ndryshime hyjmë në një fazë të dytë që lidhet me një kusht shumë të rëndësishmet nga 15 kushtet e integrimit, që është kushti i zbatimit të kësaj reforme”, u shpreh Vasili. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos