Reforma zgjedhore, Gjiknuri: Plotësuam kërkesat që kishte opozita, s’ka më debate

Nga A2 CNN
24 Qershor 2020, 21:40 | Politikë
Reforma zgjedhore, Gjiknuri: Plotësuam kërkesat që kishte

Damian Gjiknuri, bashkëkryetari i komisionit parlamentar për reformën zgjedhore, u shpreh se më në fund është arritur dakordësia në Këshillin Politik për të gjitha pikët e mbetura dhe nuk do të ketë më debate.

“Gjetëm dakordësinë për të gjitha pikët e mbetura, qoftë për KQZ-në, qoftë për formulën e kompozimit, mandatet e KQZ dhe shumë elemente të tjera që akoma kishin mbetur në diskutim.

Plotësuam kërkesat që kishte opozita. Për ne është më e rëndësishme që ligji zgjedhor të reflektojë frikën e opozitës apo të kaluarën e afërt të opozitës. Ekspertët morën detyrë të zbardhin tekstin dhe besoj për 2-3 ditë teksti do të jetë i plotë dhe do t'i dërgohet kuvendit. Nuk kemi më debate, puna e mbetur është teknike. Ramë dakord për ligjin e ri zgjedhor që do implementohet pas dy palë zgjedhjesh që ka të bëjë me depolizitimin. Ramë dakord ta çojmë në Kuvend legjislacionin të plotë që do të hyjë në fuqi në një kohë të dytë, por zbatimi i tij do të bëhet pas 3 vjetësh", tha Gjiknuri.

https://a2news.com/2020/06/24/reforma-zgjedhore-bylykbashi-u-mbyll-mbledhja-me-e-rendesishme-vasili-nga-sot-ne-nje-faze-tjeter/

Gjiknuri sqaroi dhe mekanizmin e dakordësuar me opozitën për përzgjedhjen e anëtarëve të KQZ.

Sipas dakordësisë së arritur, formula për KQZ ndryshon. Përfaqësuesi i opozitës nuk ka të drejtë vetoje. Për nivelin e dytë dhe të tretë, përzgjedh 2 nga 5 anëtarët e KQZ. Për komisionerin, përfaqësuesi i opozitës eliminon vetëm 1 nga 4 kandidatët.

Gjiknuri u shpreh se opozita do të ketë një të dërguar në Komisionin e Posaçëm që do të përzgjedhë apo skualifikojë kandidatët e përzgjedhur nga një konkurs i hapur.  

“U la që përzgjedhja të bëhet në Kuvend ku opozita do të ketë një të dërguar të saj në komisionin e posaçëm që do të bëjë përzgjedhjen, ku ai do të ketë të drejtën të përzgjedhë dhe skualifikojë disa nga anëtarët, të cilët do të përzgjidhen pas një konkursi të hapur.

Pra do të jetë një e drejtë e çdo qytetari që plotëson ato kritere për të kandiduar në një nga organet e komisionit qendror të zgjedhjeve dhe ajo garanci që i kemi dhënë opozitës do të materializohet në kuvend”, u shpreh Gjiknuri.

Ndërkohë, Rudina Hajdari, bashkëkryetarja e komisionit për reformën zgjedhore tha se në zgjedhjet e ardhshme mund të jetë e mundshme vota e diasporës.

“Nga kjo tryezë doli një lajm i mirë që ka të bëjë me vullnetin politik për votimin e diasporës. Në zgjedhjet e ardhshme mund të jetë e mundshme vota e diasporës, por kjo është akoma për t’u parë nëse do të jetë realitet. Vota e diasporës është marrë si një çështje serioze dhe për këtë duhet përshëndetur”, tha Hajdari. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos