
Partia Socialiste pretendon se marrëveshja e djeshme me palët e tjera politike për hartimin me konsensus të reformës zgjedhore është "produkt shqiptar", ku roli i ndërkombëtarëve ka qenë thjesht lehtësues dhe jo drejtues.
Këtë thotë përfaqësuesi i PS-së në atë tryezë, Damian Gjiknuri, në një intervistë për A2.
“Ky është produkt i negocimit shqiptar, përtej konspiracionit për rolin e ndërkombëtarëve. Ata kanë rol facilitues për lehtësimin e dialogut, por nuk kanë marrë rol drejtues për çështjen e reformës zgjedhore. Opozita dhe mazhoranca gjetën urën e komunikimit në mënyrë që të arrijnë një kuadër dialogu për reformën zgjedhore”, deklaroi Gjiknuri.
Përfaqësuesi i PS vijoi duke thënë që “opozita e ka patur një rol në reformën zgjedhore që nuk e ka shfrytëzuar, dhe ne eksploruam mundësitë që të krijonim një dialog bilateral midis komisionit të reformës zgjedhore dhe opozitës, pa qenë ata të ulur në tryezën e reformës, dhe kemi gjetur një kompromis që përcakton qartë mënyrën sesi do të dialogojnë palët”.
Meritën për dialogun e ripërtërirë Gjiknuri e shpërndan tek “të gjithë të pranishmit në tryezën e djeshme, të katërt kemi qenë pjesë e diskutimeve”.
I pyetur mbi domethënien e kësaj tryeze në kuadër të mundësisë të zgjedhjeve të parakohshme, Gjiknuri mohon çdo lidhje të drejtpërdrejtë. “Kjo tryezë nuk kishte si përcaktim se kur do të bëhen zgjedhjet, por përmirësimi i procesit zgjedhor. Zgjedhjet e parakohshme i përcakton Kushtetuta dhe mazhoranca”, thotë Gjiknuri, dhe shton se “zgjedhjet janë të parashikuara në 2021, por është mazhoranca ajo që i përcakton”. (A2 Televizion)