
Qeveria premton një reformë të re për inspektoratet pas ndërhyrjeve që u bënë në mandatin e parë të qeverisë Rama.
Një projektligj që është në fazën e konsultimit publik parashikon shkrirjen e inspektorateve dhe strukturave të brendshme të tyre që kanë funksione të ngjashme në sektorë të ndryshëm.
Reforma do të prekë 15 inspektoratet ekzistuese dhe 14 institucionet e tjera të ngjashme. Sipas draftit, ndërhyrja po bëhet pasi shumë nga inspektoratet kanë mbivendosje funksionesh.
Ndër inspektoratet që do të shkrihen ose do t’iu merren kompetencat janë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit; Inspektorati Shtetëror Shëndetësor; Agjencia Kombëtare e Barnave, si dhe 5 inspektorate të tjera që do të përfshihen në një strukturë të madhe që do të jetë Inspektorati Shtetëror i Shëndetësisë dhe Ushqimit.
E njëjta praktikë do të përdoret edhe në sektorë të tjerë, si në fushën e naftës, transportit, mbledhjes së të ardhurave e të tjera. Në fund të projektligjit i mëshohet rëndësisë së besimit qytetar, humbja e së cilit ka pasoja për konkurrencën në treg, investimet dhe ekonominë në tërësi. (A2 Televizion)