
Kristiana Sheqi nga Fieri është një mes 443 kursantëve të Akademisë së Policisë të cilët përfunduan shkollën bazë për patrullë të përgjithshme. Për të është realizimi i një ëndrre që në fëmijëri për të qenë pjesë e uniformave blu.
Drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Gledis Nano kërkoi përkushtim nga efektivët e rinj. “Filozofi Robert Peelka thënë: “Policia është publiku dhe publiku është Policia. Punonjësit e Policisë janë vetëm pjesëtarë të publikut, që paguhen për t'u kushtuar vëmendje të plotë detyrave që i takojnë çdo qytetari, në interes të mirëqenies dhe ekzistencës së komunitetit”. E citova këtë shprehje për t’ju përcjellë dy mesazhe juve këtu dhe nëpërmjet jush gjithë strukturave policore në vend, se punonjësi i Policisë është shërbëtor i komunitetit dhe jo padron i tij, se punonjësi i Policisë është gardian i ligjit dhe jo shkelës i tij”.
Nano nuk la pa përmendur dhe reformimin e strukturave të policisë. “Le të punojmë fort për të ndërtuar një Polici që atdheu ynë me të vërtetë e meriton. Ne kemi nevojë për një revolucion të forcës policore dhe unë bashkërisht me pjesën e shëndoshë dhe ju brezin e ri të Policisë do ta kryejmë atë pa vonesë e pa justifikime, duke mos u stepur nga vështirësitë apo pengesat”.
Gjatë ceremonisë së përfundimit të shkollës drejtuesit e policisë ndanë dhe certifikata për kursantët e dalluar, ndërsa do t’i bashkohen patrullave të përgjithshme në të gjithë vendin. (A2 Televizion)