
Përplasje frontale dhe e ashpër mes Komisionit Europian dhe Polonisë. Shkak është bërë refuzimi i disa dispozitave të një ligji të propozuar nga Bashkimi Europian për vendet anëtare. Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, akuzoi Brukselin për shantazh në një debat të ndezur me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Arenë e përplasjeve të forta ishte Parlamenti Europian, ku mes palëve nuk munguan as akuzat e kërcënimet.
“Komisioni do të veprojë dhe të gjitha opsionet janë të njohura. I pari është sfidimi ligjor i vendimit të Gjykatës Kushtetuese polake. Një tjetër opsion është mekanizmi kushtëzues dhe mjetet e tjera financiare. Qeveria polake duhet të na shpjegojë se si mendon t’i mbrojë paratë Europiane pas vendimit të kushtetueses”, tha Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Europian.
“Shantazhi nuk duhet të jetë një metodë politike. Ky proces ka arritur në një fazë ku është e nevojshme të themi ‘stop’. Kompetencat e BE-së kanë kufij të qartë dhe nuk duhet të heshtim kur këto kufij shkelen”, u shpreh Mateusz Morawiecki, kryeministër i Polonisë.
Zërat dhe mundësitë për një largim nga BE u hodhën poshtë. “Mes të tjerash, arsyeja që po flas në këtë debat, është që t'ju paraqes subjektin faktik të mosmarrëveshjes. Por jo të vazhdohet me shpërndarjen e përrallave për arsye politike lidhur me ‘Polexit’, apo gënjeshtra për hapa prapa në sundimin e ligjit”.
Qeveria e Varshavës dhe Brukseli kanë pasur përplasje të vazhdueshme kohëve të fundit lidhur me të drejtat e komunitetit LGBT dhe pavarësinë e gjyqësorit. Tensionet më të fundit erdhën pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese polake që refuzoi principet themelore të unionit që ligjet e BE-së mbizotërojnë mbi legjislacionin kombëtar. (A2 Televizion)