
Së shpejti në të dy brigjet e Drinit do të valëvitet edhe flamuri i Europës. Kjo është e vetmja zgjidhje. Kështu u shpreh ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali gjatë seancës së përbashkët mes kuvendit të Shqipërisë dhe Kosovës. Sipas saj është absurde që të rinjtë e Kosovës sot janë të izoluar krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre.
“Shqipëria ka qenë dhe do të jetë një nga avokatet më të zëshme të Kosovës për liberalizimin e vizave. Ne e gjykojmë absurde sesi ekziston regjimi i vizave. Sesi ata që sot në Kosovë kanë moshë gjyshërish lëviznin lirisht në kohën e ish Jugosllavisë, ndërsa nipërit e tyre sot janë të izoluar. Rajoni duket se i ka mbyllur hesapet me luftën por paqja nuk është kurrë një ekuilibër. Dua të përmend një fakt, memorandumet mes Shqipërisë dhe Kosovës po i afrohen numrit, 200. Duhet të dëshmojnë qartë, shpejt në të dy brigjet e Drinit do valëvitet edhe flamuri i Europës. Për ne kjo është e vetmja zgjidhje”. (A2 Televizion)