
Maqedonia e Veriut po kryen për herë të parë në 20 vitet e fundit një regjistrim të popullsisë. Vëmendja kryesore është te përbërja etnike. Me anë të tij do të mësohet se sa shqiptar jetojnë në vendin fqinj. Por procesi po has në kundërshti të mëdha, veçanërisht nga opozita.
Zëdhënësi i qeverisë, Dushko Arsovski, paralajmëroi qytetarët se bojkotimi apo pengimi i regjistrimit të popullatës është vepër penale e ndëshkueshme.
“Ai që do të organizojë të tjerët për rezistencë ose shkelje të ligjeve, vendimeve ose masave të organit shtetëror, do të dënohet me gjobë me para ose me burg deri në 3 vite. Nëse për arsye të veprave penale, ndodh mosrealizimi i regjistrimit ose vështirësim i realizimit të vendimit ligjor ose masës së organit shtetëror, ose veprën e bën si udhëheqës igrupit, shkelësi do të dënohet me burg nga 1 deri në 5 vite”, deklaroi ai.
Procesi ka nisur fillimisht me shtetasit e Maqedonisë së Veriut që jetojnë jashtë. Enti shtetëror i statistikave njoftoi se deri më tani janë regjistruar mbi 137 mijë persona, shumica e tyre në vendet e Europës.
Ndërkohë, ka përfunduar dhe përzgjedhja e regjistruesve dhe inspektorëve rajonalë që do të merren me regjistrimin e popullatës nga 1 deri më 21 prill. Për procesin është angazhuar gjithsej një personel prej 5605 vetash. Për shkak të pandemisë, ata do të ndjekin dhe një protokoll të posaçëm për mbrojtje nga Covid-19. (A2 Televizion)