Ish-gjyqtarja e Apelit Shkodër, Hajrie Muçmata, kallëzon në Prokurorinë e Posaçme, SPAK, gjyqtaren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Alma Faskaj (Vokopola). Gjyqtarja e Shkallës së Parë të vetting-ut është kallëzuar për akuzën e “falsifikimt të dokumenteve”.
Vepra penale pretendohet të jetë kryer prej saj gjatë aplikimit për emërim në KPK. Kallëzuesja Muçmata argumenton se Faskaj ka deklaruar të dhëna të rreme në aplikim duke mos treguar se në vitin 1996 ishte shkarkuar nga detyra e gjyqtares përmes një vendimi të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për “shkelje të ligjit dhe paaftësi në detyrë”.
Për këtë shkak, sipas kallëzimit, Faskaj, relatore e treshes që në nëntor 2019 shkarkoi nga detyra gjyqtaren Muçmata, jo vetëm që ka qenë në kushtet e pazgjidhshmërisë, por edhe ka falsifikuar dokumentet. Me materialin e depozituar në SPAK, ish-gjyqtarja e Shkodrës kërkon regjistrimin e kallëzimit dhe pezullimin e Faskajt nga detyra.
Një javë më parë, Gjykata e Posaçme pezulloi nga detyra gjyqtarin e Shkallës së Dytë të vetting-ut, Luan Daci. Ai po hetohet nga SPAK për “falsifikimit të dokumenteve”, pasi nuk kishte deklaruar gjatë aplikimit të tij për në KPA shkarkimin nga detyra e gjyqtarit në vitin 1997. (A2 Televizion)