
Kombëtarja Shqiptare do të luajë pa 5 titullarë të rëndësishëm në dy ndeshjet e muajit shtator, pasi listës së gjatë, së fundmi, i është shtuar dhe Myrto Uzuni.
Futbollisti i Granadës edhe këtë të martë është stërvitur i veçuar nga grupi dhe sipas stafit mjekësor, të pakta janë gjasat që 26-vjeçari të rikuperohet në kohë.
Sa i përket pjesës tjetër të grupit, ka vijuar stërvitjen intensive në Durrës dhe është gati për dy sfidat e Ligës së Kombeve. Atmosfera në grup është shumë e mirë dhe lojtarët janë në gjendje fizike optimale para kësaj sfide.
Pjesë e grupit ka qenë dhe sulmuesi i ri nga Shpresa, Eljon Toçi, i cili me shumë gjasa do të zëvendësojë Myrto Uzunin.
Sipas programit, Kuqezinjtë do të vazhdojnë përgatitjet në Durrës deri të premten dhe më pas do të nisen për në Izrael.
Atje përfaqësuesja shqiptare do të zhvillojë seancën stërvitore zyrtare në stadiumin ku të shtunën në mbrëmje do të luhet edhe ndeshja vendimtare e Ligës së Kombeve ndaj Izraelit. (A2 Televizion)