Fitorja e kombëtares shqiptare të grupit të saj në Nation League ka patur një jehonë jo të vogël në mediat ndërkombëtare, veçanërisht ato italianë, që ngrenë në piedestal teknikun Edi Reja, duke kujtuar se ai është specialist në ngritjen në kategori të ekipeve që drejton. Përpara Shqipërisë, që nga Liga C tashmë do të luajë në Ligën B, tekniku italian ka ngritur nga Serie B në Serie A edhe ekipe si Brescia, Vicenza, Cagliari dhe Napoli.
Por në një intervistë për gazetën prestigjioze “La Repubblica” Reja tregon sesi ky projekt është një “hakmarrje” e vogël ndaj atyre që e cilësonin të mbaruar karrierën e tij, pasi u largua nga Atalanta në vitin 2016.
Për gazetën italiane, Reja shpjegon vështirësitë për të ndjekur lojtarë që luajnë, dhe jo gjithmonë si titullarë, në kampionatet më të ndryshme europiane, ndërkohë që sipas tij Superiorja nuk ka ende një kontingjent për t’u marrë parasysh.

Tekniku lavdëron gjithsesi frymën e grupit, që sipas tij është baza ku ka ndërtuar një sukses që ai e cilëson si “të paparashikuar”. Përtej grupit, ai ka dëshirë të veçojë një emër, kur pyetet për talentet që mund të jenë gati edhe për Serie A. “Broja ka lindur në 2001, luan me Vitesse në Holandë dhe e gjykoj si shumë interesant”.
Por Reja në intervistë dëshmon edhe faktin që nuk ka asnjë dëshirë për të braktisur Kombëtaren së shpejti, madje e kundërta është e vërtetë. “ Kur erdha në fillim, presidenti Duka më tha të përgatitsha për Europianët e vitit 2024, dhe unë iu përgjigja që nuk dija si do t’ia bëja kur të mbushja 80 vjeç, por deri sa të jem i aftë do të çojë përpara projektin, sepse më pëlqen. Do fillojmë edhe kurse për trajnerë dhe përgatitësit atletikë, me objektivin që të rrisim talentet edhe në ato fusha. Na ka penguar COVID, por jemi në vijë të mbarë (A2 Televizion)