
“Omicron është shumë më infektues se sa variantet paraardhëse, por nga ekzaminimet e deritanishme, varianti Delta vijon të jetë dominues. Për shkak të aftësisë infektuese që ka Omicron, mund të bëhet shumë shpejt variant dominant në Shqipëri”.
Kështu u shpreh e ftuar në Ditarin e mesditës në A2 CNN Mira Rakacolli, zëvendësministre e Shëndetësisë, teksa foli për situatën e pandemisë në Shqipëri.
Rakacolli theksoi se Omicron ka sjellë shtim të ndjeshëm të rasteve të reja, por fatmirësisht numri i të shtruarve në spital nuk ka ndryshuar shumë.
Më tej, zëvendësministrja tregoi se në Shqipëri nuk ka pasur deri tani asnjë rast të infektuar me Covid-19 dhe me gripin sezonal.
Rakacolli nuk përjashtoi mundësi e ndryshimit të masave aktuale të pandemisë, por theksoi se vendimet merren nga Komiteti Teknik në bazë të treguesve të pandemisë. “Komiteti Teknik i Ekspertëve analizon çdo ditë treguesit dhe në bazë të ndërthurjes së treguesve përcaktohet niveli i masave. Sidomos jetët e humbura, shtrimet në spitale, ndërthurja e tyre, nëse ato sugjerojnë nivel tjetër masash, patjetër që do të ketë masa të reja”, tha Rakacolli. (A2 Televizion)