Rekord rastesh në Europë, Greqia futet në izolim kombëtar

Nga A2 CNN
5 Nëntor 2020, 12:31 | Bota
Rekord rastesh në Europë, Greqia futet në izolim kombëtar

Shtetet europiane po raportojnë rekorde rastesh të reja me Covid-19, ndërsa kufizime janë vendosur në disa pjesë të kontinentit këtë javë.

Greqia fqinje do të hyjë në një izolim kombëtar 3-javor, duke nisur nga e shtuna, pasi vendi regjistroi pothuajse 10,000 raste të reja me koronavirus në vetëm pesë ditë, njoftoi të enjten, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.

Ai tha se rritja eksponenciale e rasteve të koronavirusit dhe rritja e shtrimeve në spital e bënë të domosdoshme këtë masë drastike.

Polonia vendosi një tjetër rekord ditor për infeksionet me koronavirus, me 27,143 raste të reja dhe 367 fatalitete. Të shtunën, Polonia do të nisë zbatimin e kufizimeve të mëtejshme në shkolla dhe biznese për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Po ashtu, edhe Gjermania ka raportuar 19,990 infeksione të reja me koronavirus në 24 orët e fundit, tha të enjten, Agjencia e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve të vendit, shifra më e lartë 1-ditore që nga fillimi i pandemisë.

Gjermania hyri në një bllokim të pjesshëm të hënën duke mbyllur vendet e argëtimit, baret dhe restorantet.

Edhe në Çeki, ministria e shëndetësisë njoftoi 15,729 infeksione të reja me koronavirus të mërkurën, rritja më e lartë 1-ditore në rastet që nga fillimi i pandemisë. Autoritetet shëndetësore, gjithashtu, raportuan 220 vdekje të tjera të lidhura me virusin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos