
Nga operacioni që RENEA po zhvillon në Elbasan dhe Peqin për kapjen e personave të shpallur në kërkim që i përkasin dosjes “Plumbi i Artë” janë shoqëruar 10 persona, ndër të cilët edhe Kelmend Xhaferri i njohur ndryshme si 'Kel Çami'.
Ai është i njohur në Elbasan, pasi ka qenë i pranishëm dhe në ngjarjen e rëndë të ndodhur 4 ditë para zgjedhjeve të vitit 2021 në Elbasan, kur u vra Pjerin Xhuvani.
Xhaferri do të japë dëshminë e tij dhe pritet të lihet i lirë pasi mbi të nuk ka asnjë akuzë zyrtare apo urdhër-arresti
Burime konfirmojnë se ndaj Kelmend Xhaferrit ka më shumë se 1 muaj e gjysmë që çështja penale është mbyllur, pasi është vërtetuar se ai nuk ka qëlluar ditën që u vra mjeku psikiatër dhe se nuk ka patur lidhje me ngjarjen.
Prokuroria e Elbasanit ka administruar të gjitha pamjet filmike të momentit kur është vrarë Xhuvani, dhe ka arritur në konkluzionin se Xhaferri nuk ka pasur lidhje me ngjarjen.
Xhaferri është shoqëruar teksa ishte duke lëvizur me makinën e tij në qytetin e Elbasanit.
Ndërkaq, një nga objektivat e operacionit të orëve të fundit ishte arrestimi i Talo Çelës, një person i shumëkërkuar, i cili mësohet se i ka shpëtuar sërish policisë dhe nuk ka ndonjë informacion zyrtar nëse ai është vënë në pranga apo ndodhet ende i lirë.
Një ndër personat e tjerë për të cilët u zhvillua ky operacion ishte edhe Suel Çela, një tjetër person problematik në qytet. Informacionet për implikimet e këtyre personave janë mësuar nga dëshmia e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumanit dhe dhe Henrik Hoxhajt, të arrestuar së fundmi. (A2 Televizion)